Mbrëmje letrare me krijues tetovar “Tetova në vargjet e Nëntorit festiv” të organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Oeneum në Tetovë në bashkëpunim me Komunën e Tetovës dhe kryetarin zotëri Bilall Kasami, në kaudër të programit festiv “Nëntori na bashkon”. Aktiviteti u mbajt në ambientet e ish-Radio Tetovës, njëherit u promovuan dhe katër numrat e revistës “Plejada”, e fjalë rasti mbajti kryeredaktori Rami Kamberi.
Manifestimet e muajit nëntor kanë një rëndësi të veçantë, pasi përkujtojmë dy ngjarje të shënuara për historinë dhe identitetin tonë kombëtar: Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe Ditën e Flamurit, si dhe përvjetorin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.
Pjesë e mbrëmjes letrare ishin vargjet e poetëve tetovarë të ndara në tri segmente, poet tetovar që nuk janë në mesin tonë, vepra dhe poezia e tyre mbetet mes nesh, poet e krijues që lexuan poezitë autoriale dhe segmenti i tretë krijuesit e rinj, poet e poetesha që premtojnë për ardhmërinë e poezisë e shoqatës.
Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum”, zonja Sadije Aliti, në fjalën përshëndetëse theksoi se muaji Nëntor shënon një sërë festash të rëndësishme të historisë sonë të lavdishme por edhe të dhimbshme, data që vendosën themelet e ardhmërisë së gjuhës, shtetit e flamurit, andaj përmes aktiviteteve kultutrore të nderojmë sakrificën e tyre.
Fjalë rasti mbajti edhe përgjegjësi për veprimtari publike në Komunën e Tetovës ValedinAdemi i cili theksoi se Komuna e Tetovës tani më në mënyrëtradicionale me aktivitete të ndryshme kulturore e sportive shënon këto data, duke qenë edhe një mbështetje e madhe për të gjitha ngjarjet kulturore që shënohen për nder të katyre datave historike.
Shoqata e shkrimtarëve Oeneum ka edhe shumë miq e artëdashës, profesori Miftar Memeti i relaksoi të pranishmit me një pikë muzikore në kitarë, aktivitet i bukur kulturor dhe poetik, për nder të muajit të Nëntorit. Pati edhe një koktej rasti të shtruar nga Komuna e Tetovës.
