Site icon Tetova Expres

Dita Botërore kundër HIV/AIDS, Meta: Testimi kudo në spitale dhe qendra shëndetësore

Në Ditën Botërore të luftës kundër HIV/AIDS mjekët infeksionistë kujtojnë se parandalimi, testimi dhe trajtimi shpëtojnë jetë.

Mjekja infeksioniste në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Esmeralda Meta u shpreh se HIV nuk është një dënim dhe menaxhohet me sukses kur diagnostikohet herët dhe trajtohet rregullisht.

“Është një nga sindromat madhore infektive për mbi 3 dekada te ne. HIV është një nga sëmundjet me peshë madhore mjekësore, sociale apo edhe familjare”, u shpreh ajo.

Meta theksoi se pranë QSUNT-së trajtohen pacientët me moshë mbi 14 vjeç.

“Ajo që vëmë re është se është popullata aktive më shumë predominuese me këtë sindromë”, tha Meta.

Advertisement

Sipas mjekes, mesazhi më i rëndësishëm në këtë ditë është testi screening i moshave të reja dhe grupeve në risk.

“Ofrimi i testimit të HIV-it në Shqipëri është kudo në spitale dhe qendra shëndetësore. Po ashtu për gratë shtatzëna është me rëndësi trajtimi i hershëm dhe parandalimi i transmetimit”, tha ajo.

Sipas mjekes infeksioniste në çdo rast nevojitet këshillim me mjekun specialist.

“Në shërbimin tonë ofrohet konsulenca me psikologët dhe punonjësit socialë, sepse nuk është problem individual, është problem familjar, është problem social që kërkon jo vetëm trajtimin medikamentoz por kërkon edhe suportin psikologjik dhe social”, u shpreh ajo.

Duke folur mbi statistikat e të prekurve nga kjo sindromë, Meta tha se Shqipëria ndodhet në të njëjtat raporte si vendet e rajonit.

Advertisement

“Është shumë e rëndësishme për moshat e reja dhe grupet në risk, depistimi. Deri tani nuk ka një vaksinë që ta parandalojë ndaj duhet komunikimi me mjekun specialist për profilaksinë para apo pas ekspozimit”, u shpreh mjekja.

Exit mobile version