Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, vizitoi dje pasdite objektin ku është vendosur sistemi qendror “Qyteti i Sigurt” (Safe City), pas fillimit të periudhës testuese për regjistrimin automatik të kundërvajtjeve në komunikacion, njoftoi MPB.
Vetëm në 12 orët e para të testimit janë regjistruar plot 65.000 shkelje, mes tyre 2.800 raste të kalimit në semafor të kuq. Përveç kësaj, sistemi ka zbuluar rreth 1.000 automjete të paregjistruara, përcjell INA.
“Nuk ka tolerancë për drejtim të pakujdesshëm, qoftë në zonat urbane apo në rrugët e hapura. ‘Qyteti i Sigurt’ është një projekt që mbron jetë dhe rikthen disiplinën në komunikacion,” deklaroi ministri Toshkovski.
Nga MPB shtojnë se shifrat janë alarmante dhe edhe një herë tregojnë domosdoshmërinë e sistemit, i cili pritet të përmirësojë kulturën rrugore dhe të ulë numrin e viktimave dhe dëmeve në rrugë.
Periudha testuese do të zgjasë deri më 31 dhjetor, ndërsa deri atëherë kundërvajtësit do të marrin vetëm paralajmërime. Nga janari sistemi do të funksionojë plotësisht, me opsion për marrjen dhe pagesën elektronike të gjobave.(INA)
