Site icon Tetova Expres

Gjobë prej 280 mijë euro për dhjetë kompani sigurimesh, rritën çmimin e polisave për automjetet

Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka gjobitur dhjetë kompani sigurimesh me një gjobë totale prej 276.000 eurosh. Ata kanë bashkëpunuar mes vete dhe vitin e kaluar kanë rritur çmimin e regjistrimit të automjeteve, përmes rritjes së çmimit të polisës së sigurimit të detyrueshëm për automjetet. Kjo është polisa e detyrueshme që çdo pronar automjeti duhet ta paguajë gjatë regjistrimit.

“Në procedurë është konstatuar se kompanitë e sigurimeve gjatë periudhës 01.03.2024 – 07.05.2024, kanë shkëmbyer informacione të ndjeshme, kanë koordinuar aktivitetet dhe në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër kanë marrë vendime identike ose të harmonizuara për rritjen e pjesës së premiumit për kryerjen e aktivitetit – e ashtuquajtura shtesë administrative”, thonë nga Komisioni.

Sipas Komisionit, dhjetë kompanitë e sigurimeve kanë kryer formën më të rëndë të shkeljes së Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
“Kjo lloj sjellje përbën kufizim të konkurrencës “qëllimisht”, pra formën më të rëndë të shkeljes sipas nenit 7 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Shkëmbimi i informacioneve dhe marrja e vendimeve të përbashkëta për çmimet zëvendëson politikën e pavarur të biznesit me veprim të koordinuar kolektiv në treg, gjë që është rreptësisht e ndaluar”, thonë nga Komisioni.

Më parë, Komisioni ka konstatuar kartel edhe tek marketet. Për bashkim kartelist dhe marrëveshje çmimesh, katër zinxhirë të mëdhenj marketesh janë gjobitur me nga 50.000 euro secili, si dhe Lidhja e Odave Ekonomike me 18.000 euro. Të dy procedurat, si për marketet ashtu edhe për kompanitë e sigurimeve, Komisioni i ka nisur këtë pranverë.

Exit mobile version