Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot mori pjesë në panel diskutimi me temë “Mundësitë për investime të huaja në Maqedoninë e Veriut”, që u mbajt në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Berlin. Ngjarja u organizua nga Klubi Gjermano-Maqedonas i Biznesit (DNMBC) në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Ministri Durmishi në fjalën e tij theksoi se Maqedonia e Veriut gjendet në një moment vendimtar zhvillimor, në të cilin proceset e reformës kishin për qëllim krijimin e një mjedisi të parashikueshëm ekonomik, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt Evropës. Ai i theksoi prioritetet e Qeverisë – transformimi digjital dhe i gjelbër, modernizimi i industrisë, nxitja e inovacioneve dhe avancimi i kapitalit njerëzor.
“Qëllimi ynë është të ndërtojmë ekonomi që krijon vlerë të shtuar dhe ofron kushte të qarta dhe afatgjata për investitorët. Me modelin e ri të mbështetjes financiare që do të nisë në vitin 2026, shteti shpërblen investimet cilësore, krijimin e vendeve të punës, qendrat teknologjike dhe projektet që kontribuojnë në zhvillimin rajonal”, tha ministri Durmishi.
Ai gjithashtu theksoi se Gjermania mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se vizioni i përbashkët ishte forcimi i lidhjeve afariste, nxitja e investimeve moderne dhe krijimi i mundësive të reja për rritje ekonomike.
Ministri falënderoi organizatorët dhe komunitetin e biznesit në Gjermani për mbështetjen e vazhdueshme, duke vlerësuar se ngjarje të tilla janë platformë e rëndësishme për ndërtimin e besimit dhe partneriteteve të reja.
Aktiviteti vazhdoi me panel diskutimi dinamik në të cilin pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja dhe propozime për avancimin e klimës investuese dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.
Në hapjen morën fjalë Gafar Vejseli, Kryetar i DNMBC, ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani, si dhe ambasadori në Gjermani, Prof. Dr. Ylber Sela. Paneli bashkoi emra të rëndësishëm nga sektorët ekonomikë dhe institucionalë, duke përfshirë drejtorin e DZZHTI-së Goce Dimovski, ish-guvernatoren e BPRMV-së Anita Angellovska Bezhoska, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe delegacionin gjerman për industri për rajonin.

