Eman Hassan Lawa, e veshur me rroba tradicionale palestineze, dhe Hikmat Lawa, me një kostum elegant, ecnin dorë për dore mes ndërtesave të shkatërruara në jug të Gazës, së bashku me çifte të tjera të veshura në mënyrë të ngjashme.
Ata ishin pjesë e 54 çifteve që u martuan të martën gjatë një ceremoni masive në Gaza, duke sjellë një moment të rrallë shprese pas dy vitesh shkatërrimi, vdekjeje dhe konflikti.
“Pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur, ne do të fillojmë një jetë të re,” tha Hikmat Lawa për Associated Press. “Me vullnetin e Zotit, ky do të jetë fundi i luftës.”
Dasmat kanë një rëndësi të veçantë në kulturën palestineze, por gjatë viteve të luftës janë bërë të rralla në Gaza. Tradita po ringjallet që nga fillimi i armëpushimit të brishtë, edhe pse ceremonitë sot janë më të thjeshta krahasuar me ato të së kaluarës.
Ndërsa turma e zhurmshme valëviste flamuj palestinezë në qytetin jugor të Khan Younis, festimet sollën një moment gëzimi që e errësoi përkohësisht krizën e vazhdueshme në rajon.
Më shumë se 2 milionë banorë të Gazës, përfshirë Eman dhe Hikmat Lawa, janë zhvendosur nga lufta; zona të tëra janë rrafshuar, ndërsa mungesa e ndihmës dhe konflikti vazhdojnë të sfidojnë jetën e përditshme të qytetarëve.
