Dega e Tetovës e Partisë Demokratike Shqiptare njofton se është caktuar mbajtja e Kuvendit Zgjedhor të Degës më 13 dhjetor, ditën e shtunë, në ora 11:30. Kjo është bërë e ditur gjatë një pres konference me gazetarë në selinë e partisë në Tetovës.
“Gjatë periudhës së fundit, Dega e Tetovës ka zhvilluar një proces të rëndësishëm konsolidimi të brendshëm, i cili ka përfshirë hapjen e degës ndaj prurjeve të reja, verifikimin e anëtarësisë aktuale dhe rritjen e transparencës së brendshme. Ky proces ka krijuar bazën e nevojshme për zhvillimin e një kuvendi të rregullt, përfaqësues dhe plotësisht në përputhje me statutin e Partisë Demokratike Shqiptare. Kuvendi Zgjedhor i 13 dhjetorit përbën një moment të rëndësishëm për Degën e Tetovës, ku do të zgjidhen organet e reja drejtuese: Kryetari i Degës dhe Kryesia e Degës, të cilat do të kenë përgjegjësinë të udhëheqin punën e degës me efikasitet dhe vizion të qartë”, deklaroi Fatmire Isaki, anëtare e këshillit koordinues për riorganizim.
Më tej nga Partia Demokratike Shqiptare thonë se procesi i forcimit të degës nuk përfundon me këtë kuvend. “Ai do të vazhdojë përmes bashkëpunimit të rregullt me anëtarësinë aktuale, pranimit të anëtarësimeve të reja, zgjerimit të përfshirjes së grave dhe të rinjve, forcimit të kapaciteteve organizatave dhe intensifikimit të komunikimit me qytetarët e Tetovës, me qëllim sigurimin e një funksionimi transparent, efikas dhe të përgjegjshëm të degës. Në vijim, dëshirojmë të nënvizojmë se procesi i konsolidimit dhe riorganizimit të strukturave të partisë nuk kufizohet vetëm në Degën e Tetovës”, tha Fatmire Isaku nga PDSH-ja.
Sipas saj, ky është një proces i planifikuar dhe i koordinuar, i cili do të vazhdoje edhe në degët tjera te Partisë Demokratike Shqiptare, me qëllim forcimin e funksionimit të tyre, rritjen e efikasitetit organizativ dhe garantimin e një përfaqësimi sa më të drejtë, transparent dhe funksional ne mbarë strukturën e partisë.
