Një përleshje e dhunshme ka ndodhur dy ditë më parë në kantonin Thurgau të Zvicrës, ku u përfshinë disa persona nga vende të ndryshme, duke lënë disa të lënduar. Sipas raportimeve nga Policia Kantonale e Thurgaut, incidenti ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit në një objekt hotelierik, kur një debat mes dy grupeve eskaloi në dhunë fizike.
Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut – dy 41-vjeçarë dhe një 43-vjeçar – pësuan lëndime të rënda dhe u transportuan me urgjencë në spital. Përveç tyre, katër persona të tjerë morën ndihmë mjekësore për lëndime të lehta: një shtetas i Kosovës 54 vjeç, një shqiptar 35 vjeç, dhe dy zviceranë, 40 dhe 27 vjeç.
Dy pjesëmarrës të tjerë fatmirësisht nuk pësuan dëmtime: një zviceran 52-vjeç dhe një maqedonas 48-vjeç. Autoritetet zvicerane po hetojnë shkaqet e përleshjes dhe identitetet e të përfshirëve për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Gazeta Flaka
