Site icon Tetova Expres

FSHF: BEKIM BALAJ DHE MEGI DOCI, MË TË MIRËT E VITIT 2025

Në një ceremoni  madhështore të organizuar  nga  Federata  Shqiptare e  Futbollit   mbrëmë në  Teatrin e Operës dhe Baletit në  Tiranë  u ndanë çmimet për më të mirët e futbollit shqiptar në  vitin 2025.  Epiteti i më të mirëve u ka  takuar Bekiim Balajt dhe  Megi Doçit

 Në një mbrëmje gala të zhvilluar në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë mbrëmë u ndanë çmimet për më të mirët e futbollit shqiptar.

Trofeu kryesor, ai i “Topit të Artë”, iu akordua sulmuesit të Vllaznisë, Bekim Balaj, i cili u shpërblye gjithashtu edhe me “Këpucën e Artë” për meshkuj, pas një sezoni të jashtëzakonshëm.

Çmimi “Topi i Artë” për femra shkoi për yllin e Vllaznisë, Megi Doci, e cila konfirmoi edhe një herë dominimin e saj në futbollin e femrave në Shqipëri.

Sa i përket pankinës, titulli i trajnerit më të mirë të vitit u fitua nga tekniku i Egnatias, Edlir Tetova, pas rezultateve të shkëlqyera me skuadrën rrogozhinase.

Advertisement

Ndërkohë, lojtarët e Kombëtares shqiptare votuan për më të mirin e ekipit kuqezi, duke përzgjedhur kapitenin Berat Gjimshiti.

“Ëndërr Botërori” ishte trofeu që iu akordua sonte 12 lojtarëve të pranishëm në këtë event: Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Naser Aliji, Kristjan Asllani, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Klisman Çeka, Alen Sherri, Mario Dajsinani, Juljan Shehu dhe Nazmi Gripshi. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dorëzoi secilit prej lojtarëve nga një trofe, në shenjë falënderimi për këtë arritje historike.

Në fund, analistët dhe gazetarët sportivë përzgjodhën edhe 11-shen më të mirë të Kategorisë Superiore, duke kompletuar kështu mbrëmjen festive të futbollit shqiptar.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, me anë të një videomesazhi vlerësoi progresin e futbollit shqiptar në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”.  Ai përgëzoi Kombëtaren për kualifikimin për herë të parë në fazën play-off të Kupës së Botës FIFA 2026, si dhe organizimin e suksesshëm të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”.

 Shaban Sinani – TV Koha

Advertisement
Exit mobile version