Në periudhën nga 01.12.2025 deri më 28.12.2025, si rezultat i kontrolleve të rregullta rrugore që i realizojnë nëpunësit policorë nga të gjithë sektorët e punëve të brendshme në rrugët e mbarë vendit, nga gjithsej 18,318 urdhërpagesa të lëshuara, 4,019 kundërvajtje kanë të bëjnë me shoferë që nuk e kanë respektuar shpejtësinë e përshkruar të lëvizjes, informuan në mëngjes nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Të privuar nga liria për drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal ishin 123 persona, prej të cilëve 100 për vozitje nën ndikimin e alkoolit, 13 për vozitje me shpejtësi më të madhe nga e lejuara në vendbanim, shtatë për vozitje me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e lejuar jashtë vendbanimit, tre për vozitje në drejtim të ndaluar. Më tej, sipas pasqyrës statistikore të aktiviteteve policore, gjatë muajit dhjetor janë evidentuar 5,018 kundërvajtje për parkim në mënyrë të padrejtë, 1,843 masa janë shqiptuar ndaj shoferëve që drejtonin automjetin pa patentë shoferi, si dhe 679 sanksione për vozitje nën ndikimin e alkoolit”, sqaruan nga MPB.
Nga ana tjetër, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Sigurinë e Qarkullimit Rrugor u sanksionuan 18 shoferë motoçikletash për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse, dhe janë sanksionuar edhe 415 këmbësorë.
“Gjithashtu janë sanksionuar 1,046 pjesëmarrës në komunikacion të cilët nuk kanë përdorur rripin e sigurisë. Në përputhje me Ligjin për Automjete, 322 automjete u mënjanuan nga komunikacioni për shkak se ishin të paregjistruara, dhe 172 për shkak të parregullësisë teknike. Janë sanksionuar 101 shoferë për shkak të mospërmbushjes së kushteve të përshkruara në lidhje me errësimin e xhamave të automjeteve (folive)”, shtuan nga MPB.
Kontrollet e komunikacionit do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim.
“U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit dhe të kontribuojmë së bashku për rrugë më të sigurta”, thonë nga MPB.
