Site icon Tetova Expres

Pensioni për dhjetorin do të paguhet në kohë më 2 janar

Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë (FSPIM) i njofton të gjithë përfituesit e pensioneve se janë siguruar mjetet e nevojshme për pagesën e pensioneve për muajin dhjetor 2025.

“Si institucion përgjegjës për pagesën e pensioneve dhe sigurimin e të drejtave të sigurimit pensional dhe invalidor dhe sigurimin social të pensionistëve, Fondi ka përfunduar me kohë të gjitha përgatitjet për zbatimin e pandërprerë të pagesës së pensioneve. Për këtë qëllim, janë siguruar mjete në shumën totale prej 9.289.521.686,00 denarë – nëntë miliardë 289 milionë 521 mijë 686 denarë – për një total prej 340.156 përfituesish pensionesh. Për shkak të faktit se 1 janari është ditë jo pune – festë zyrtare, mjetet do të transferohen në bankat komerciale më 2 janar 2026”, bën të ditur FSPIM.

FSPIM tashmë i ka dorëzuar njoftimet me të dhëna të sakta për numrin e pensionistëve dhe shumat përkatëse në të gjitha bankat komerciale, gjë që siç theksohet, garanton se procesi i pagesës do të zhvillohet në mënyrë efikase dhe pa vonesa.

“Fondi shfrytëzon këtë mundësi për t’ua uruar festat e Vitit të Ri dhe të Krishtlindjeve të gjithë pensionistëve dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe për t’u uruar atyre gjithë të mirat në Vitin e Ri 2026”, theksohet në kumtesën e sotme.

Exit mobile version