Ulja e temperaturave dhe shfaqja e ngricave në disa rrugë të vendit, kanë shkaktuar vështirësi serioze në qarkullim për shumë drejtues të automjeteve. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit kanë ndodhur disa aksidente. Më i rëndi ka qenë ai në rrugën rajonale Mavrovë – Dibër, ku dy persona humben jetën. Sipas informatave të MPB-së, automjeti i drejtuar nga A.F. 56 vjeçar nga fshati Vidushë, komuna Mavrovë-Rostushë, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Radikë. Si pasojë e lëndimeve të marra, shoferi dhe pasagjerja M.F. 56 vjeçare kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
“Vdekjen e A.F. 56 vjeçar dhe M.F. 56 vjeçare, të dy nga fshati Vidushë, komuna Mavrovë- Rostushë, e ka konstatuar mjeku nga Ndihma e Shpejtë, ndërsa sipas udhëzimeve të prokurorit publik, automjeti është dërguar policor për kontroll të jashtëzakonshëm teknik, ndërsa trupat e viktimave janë dorëzuar për obduksion”, njoftojnë nga MPB-ja.
Përveç këtij aksidenti fatal, një aksident tjetër me lëndime të rënda trupore ka ndodhur në orën 02:35, të mëngjesit në komunën e Vrapçishtit, ku sipas MPB-së, një automjet udhëtarësh “BMË” me targa të Gostivarit, i drejtuar nga L.B. 27 vjeçar ka goditur një automjet të parkuar “Mercedes”. Me lëndime të rënda kanë përfunduar pasagjeri ndërsa lëndime më të lehta kanë mbetur shoferi dhe pasagjeri i automjet të parkuar. Për shkak të mbulesës së borës në rrugë, LAMM ka futur përdorimin e detyrueshëm të zinxhirëve të borës për të gjitha automjetet në seksionin Lisec – Kodra e Diellit nga ora 21:00 e 2 janarit 2026. Masa është e detyrueshme për shkak të pjesëve të pjerrëta dhe kthesave, ku mosrespektimi i rregullave shpesh shkakton bllokime dhe vonesa. Kontrollet e policisë do të intensifikohen, veçanërisht për shkak të frekuencës së shtuar të automjeteve gjatë periudhës së festave.Për shkak të ngricave në disa rrugë, nga Lidhja AutoMoto, u bën thirrje shoferëve të jenë të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjeteve të tyre e sidomos në rrugët Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë, të cilat janë cilësuar si pika kritike. Për shkak të ngricave, rruga për në Kozjak gjatë ditës së sotme u mbyll për qarkullim.Edhe nga Qendra për Menaxhim me Kriza u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi në shumë rrugë të vendit ka ngrica ngrira të cilat kanë shkaktuar vështirësi, veçanërisht në zonat malore.
