Reshjet e dendura të shiut, të rëna gjatë orëve të natës, kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme të shumta në qytetet e Durrësit dhe Lezhës, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e automjeteve.
Në Durrës, përmbytjet janë shënuar në disa zona të qytetit, veçanërisht në kryqëzimet kryesore të rrugëve, ku uji ka pushtuar rrugët dhe trotuaret. Në disa raste, uji ka depërtuar edhe në hyrjet e pallateve dhe të bizneseve buzë rrugës, duke krijuar shqetësim për banorët dhe tregtarët.
Durrës
Ndërkohë, situata paraqitet më problematike në Lezhë, ku si pasojë e prurjeve të larta dhe pamundësisë së rrjetit të kanalizimeve për të përballuar sasinë e ujit, janë regjistruar përmbytje në lagjen “Besëlidhja”.
Sipas mediave atje, niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve.
Për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Lezhë, për arsye sigurie.
Lezhë
Po ashtu, raportohet rritje e ndjeshme e prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër, të cilët ndodhen në kuota kritike.
Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile janë në terren dhe po monitorojnë situatën nga afër, ndërsa qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar.
Në Kukës ku vërshimi i ujërave ka përmbytur disa segmente rrugore. Problem mbeten edhe disa akse nacionale, konkretisht rrugët Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kam–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë, Bajram Curri–Valbonë si dhe aksi Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, ku ka prezencë uji dhe dëmtime të pjesshme të rrugës.
Ndërkohë, shumë rrugë rurale në të tre bashkitë e Qarkut të Kukësit janë dëmtuar si pasojë e daljes së përrenjve nga shtrati, duke izoluar përkohësisht disa zona.
