Site icon Tetova Expres

Autoritetet në RMV me rekomandime për qytetarët për vozitje të kujdesshme në kushte dimërore

Pas njoftimeve për reshje dëbore dhe rënie të ndjeshme të temperaturave gjatë fundjavës, Këshilli Republikan i Sigurisë Rrugore (KRSRr) ka lëshuar  apel dhe përkujtesë për qytetarët që të ngasin automjetet me kujdes dhe përgjegjësi dhe të përdorin pajisjet dimërore në përputhje me rregullat.

“Para se të niseni në një rrugë, është e nevojshme të përgatitni siç duhet automjetin për ngarje në kushte dimërore. Kryeni kontroll të automjetit, i cili zakonisht përfshin: kontrollin e antifrizit, nivelin e karburantit, lëngun e fshirësve dhe të xhamit të përparmë, gjendjen e baterisë, si dhe gjendjen dhe presionin e gomave”, thuhet në njoftimin e KRSRr-së.

Në të njëjtën kohë, ata u bëjnë apel shoferëve që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut, si dhe shenjat e vendosura të trafikut. KRSRr këshillon qytetarët të informohen në kohën e duhur për gjendjen e rrugëve dhe kalueshmërinë e tyre, të rregullojnë shpejtësinë e tyre sipas kushteve dhe gjendjes së rrugës dhe të mbajnë distancë të sigurt midis automjeteve.

Hulumtimet, sipas Këshillit Republikan të Sigurisë Rrugore, tregojnë se kushtet e pafavorshme të motit kërkojnë që shoferët të jenë më të vëmendshëm gjatë ngasjes.

“Prandaj, KRSRr bën apel të qartë: Vetëm me sjellje të përgjegjshme në trafik mund të kontribuojmë të gjithë për një trafik rrugor më të sigurt – çdo jetë është e rëndësishme”, shtohet në njoftim.

Advertisement

Drejtoria Hidrometeorologjike (DPHM) njoftoi se gjatë fundjavës priten reshje të reja, të cilat do të jenë borë në male dhe vende më të larta, dhe shi dhe borë në vende më të ulëta. Reshjet do të jenë më të bollshme në pjesët perëndimore të vendit, dhe lartësia e mbulesës së borës do të rritet më tej.

Për të dielën dhe të hënën, Drejtoria njofton shfaqjen e erërave të moderuara deri të forta veriore, të cilat herë pas here do të fryjnë me shpejtësi mbi 60 kilometra në orë. Do të ketë reshje lokale bore, dhe temperatura do të bjerë dhe do të mbetet nën zero gjatë gjithë ditës., Portalb.mk

Exit mobile version