Site icon Tetova Expres

Irani nis sot varjen e protestuesve të arrestuar? Trump paralajmëron reagim të ashpër

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka paralajmëruar Iranin që të mos vazhdojë me ekzekutimin e protestuesve, duke theksuar se SHBA-ja do të ndërmarrë masa të forta nëse autoritetet në Teheran i varin iranianët e ndaluar.

“Nëse bëjnë diçka të tillë, ne do të ndërmarrim masa shumë të ashpra,” deklaroi Trump në një intervistë për CBS News, pa specifikuar se çfarë reagimi konkret do të ketë Uashingtoni.

Më herët, në një postim në platformën X, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se autoritetet iraniane planifikojnë ekzekutimin e protestuesit të ndaluar Erfan Soltani të mërkurën. Në njoftim thuhet se mbi 10.600 iranianë janë arrestuar nga regjimi i Republikës Islamike vetëm pse kanë kërkuar të drejtat e tyre themelore. Mes tyre është edhe Soltani, 26 vjeç, ekzekutimi i të cilit është paraparë për 14 janar.

Trump tha se nuk ishte i informuar për raporte konkrete mbi varjet, por paralajmëroi se veprime të tilla mund të shkaktojnë një reagim të ashpër, madje edhe të dhunshëm nga ana e SHBA-së.

“Nëse duan të protestojnë, kjo është një gjë. Por kur fillojnë të vrasin mijëra njerëz, e tani flitet edhe për varje, do të shohim si do t’u shkojë,” tha Trump, duke shtuar se kjo nuk do të përfundojë mirë.

Advertisement

I pyetur se çfarë mbështetjeje mund të presë populli iranian, presidenti amerikan tha se ajo mund të jetë e natyrës ekonomike.

“Shumë ndihmë është në rrugë e sipër, në forma të ndryshme, përfshirë edhe mbështetje ekonomike nga ana jonë, por kjo nuk do t’i ndihmojë shumë Iranit,” deklaroi Trump.(INA)

Exit mobile version