Në Dietikon të Zvicrës ka nisur një proces gjyqësor, ku i akuzuar kryesor është një imam dhe biznesmen kosovar 57-vjeçar nga Aargau, i dyshuar për një sërë veprash të rënda ekonomike.
Sipas 20min.ch, aktakuza prej mbi 200 faqesh përfshin gjithsej 20 pika, mes tyre mashtrim, shpërdorim detyre, pastrim parash, evazion fiskal, falsifikim dokumentesh dhe jo vetëm.
Dhe sipas prokurorisë, dëmi financiar arrin në disa milionë franga.
Siç theksohet më tej, i pandehuri nuk u paraqit në seancë, duke deklaruar se ndodhet në një klinikë psikiatrike dhe është i paaftë për t’u marrë në pyetje, çka detyroi gjykatën të urdhërojë një kontroll mjekësor zyrtar.
Të pandehurit janë një drejtor menaxhues dhe imam 57-vjeçar kosovar, ish-gruaja e tij (51), vajza e tij (27), tre djemtë e tij të moshës 27 dhe 35 vjeç, dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë – gjithsej tetë persona.
Siç shkruan 20min.ch, ai u prezantohet gati 4500 ndjekësve të tij si një imam i devotshëm, ndërsa zyra e prokurorit publik e konsideron atë “një kriminel ekonomik”.
Prokuroria pretendon se përmes kompanive ndërtimore dhe firmave fiktive janë përfituar kredi bankare për shpenzime private dhe janë futur qëllimisht kompani në falimentim.
Gjithashtu, ai dyshohet se ka deklaruar paga fiktive për familjarët, për të siguruar leje qëndrimi.
Prokuroria kërkon për të një dënim prej 7.5 vitesh burg dhe dëbim nga Zvicra për 15 vjet, ndërsa për të tjerët parashikohen dënime më të lehta.
Vendimi përfundimtar pritet në fund të muajit janar./20min.ch
