Në emër të “harmonizimit me Evropën”, në Maqedoninë e Veriut po shtyhet një ligj kundër duhanpirjes që në praktikë nuk ka precedent në shumicën e vendeve evropiane. Ajo që paraqitet si kujdes për shëndetin publik, po shndërrohet në një mekanizëm ndëshkues, selektiv dhe disproporcional ndaj një kategorie të caktuar qytetarësh duhanpirësve. Agjencia e Lajmeve Zhurnal ka bërë një analizë të detajuar të bazuar në fakte dhe argumente konkrete sa i përket praktikave evropiane në raport me duhanpirësit.
Një gjë është e qartë derisa RMV po përndjek qytetarët, Evropa përmes ligjeve edukon – Evropa, shpesh e përdorur si alibi politike, nuk ka një ligj unik për duhanpirjen. Çdo shtet rregullon këtë çështje sipas realitetit të vet social, kulturor dhe ekonomik. Pikërisht këtu qëndron problemi ndërsa shumica e vendeve të BE-së ndjekin një qasje të balancuar mes mbrojtjes së shëndetit publik dhe lirive individuale, Maqedonia e Veriut po zgjedh rrugën e ekstremit.
Po, është e vërtetë që në pothuajse të gjitha vendet e BE-së është e ndaluar pirja e duhanit në ambiente të mbyllura publike restorante, bare, zyra, transport publik. Por këtu mbaron ngjashmëria. Në një numër të madh shtetesh evropiane si Gjermania, Italia, Austria, Holanda, Polonia dhe Çekia lejohen dhoma të posaçme për duhanpirës, të ventiluara dhe të rregulluara rreptësisht. Kjo është një zgjidhje kompromisi, që respekton si të drejtën për ajër të pastër, ashtu edhe lirinë e zgjedhjes.
Por tani çuditërisht çfarë e gjeti Maqedoninë e Veriut?
Sjellë propozim ligje pa asnjë përjashtim, asnjë hapësirë alternative, asnjë fleksibilitet rajonal apo funksional. Pra, lirshëm mund të thuhet se Ligji është i verbër dhe i pamëshirshëm. Asnjë vend evropian nuk e ndalon pirjen e duhanit kudo në hapësira të hapura. Dhe, siduket për diçka po tenton të bëhet vendi i parë vendi ynë por ja që ia ka huqur keq dhe rëndë kësaj radhe.
Një tjetër fakt që shpesh anashkalohet nuk ekziston asnjë shtet në BE që ndalon pirjen e duhanit në të gjitha hapësirat e hapura publike. Rrugët, sheshet, trotuaret, tarracat e kafeneve dhe ballkonet private janë, në shumicën dërrmuese të Evropës, zona ku pirja e duhanit lejohet.Edhe vendet më restriktive, si Franca apo Spanja, aplikojnë ndalime të synuara dhe specifike pranë shkollave, në parqe për fëmijë, në plazhe të caktuara por jo ndalime totale që kriminalizojnë praninë e duhanpirësit në hapësirën publike.
“Maqedonia e Veriut më strikte se Evropa” pa arsye dhe pa analizë –
Sipas krahasimeve që kemi bërë Maqedonia e Veriut rezulton më strikte se Gjermania, Austria dhe Holanda, më rigoroze se shumica e vendeve me ligje “të moderuara”, pa mekanizma balancues që ekzistojnë në 61% të shteteve evropiane. E kjo është absurde vetëm kur dëgjihet e lexohet e lëre të ndodhë në praktikë. Madje, edhe në vende me traditë të fortë kundër duhanit si Irlanda apo Franca, ligji fokusohet te mbrojtja e të tjerëve, jo te ndëshkimi simbolik i duhanpirësit.
Shëndeti publik nuk mbrohet me gjoba selektive –
Askush nuk konteston nevojën për mbrojtjen nga tymi pasiv, sidomos për fëmijët dhe punonjësit. Por shëndeti publik nuk ndërtohet me ndalim absolut, pa alternativë, pa debat dhe pa respekt për realitetin shoqëror. Askush nuk e konteston dëmin nga duhani por kjo çështje duhet rregulluar në mënyrë graduale dhe jo sikurse polici me shkop mbi kokë.
Kujtojmë që, në Evropë, ligjet kundër duhanit janë rezultat i kompromiseve sociale. Në Maqedoninë e Veriut sillen vendime nën diktat “komunist” nga nesër kështu dhe pikë. Nëse vërtet synohet harmonizimi me BE-në, atëherë duhet të merret i gjithë modeli evropian, jo vetëm pjesë të caktuara. Përndryshe, ky ligj nuk është evropian është thjesht një demonstrim force mbi qytetarët më të lehtë për t’u gjobitur dhe për ta mbushur arkën e shtetit. E pastaj si menaxhohet arka e shtetit është temë në vete. /Zhurnal.mk
