Drejtoria e Doganave njofton se kanë parashtruar kallëzim penal ndaj një kompanie postare dhe ndaj një personi, pasi sipas Doganës, kompania ofronte në mënyrë të paligjshme shërbime postare.
Nga Drejtoria e Doganave thonë se kompania bënte kontrabandë të dërgesave.
“Inspektorët doganorë të Departamentit të Hetimeve, në një veprim të koordinuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Agjencinë Postare dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut, kanë kryer një kontroll në një kompani që ofronte ilegalisht shërbime postare ndërkombëtare dhe kontrabandonte mallra. Gjatë kontrollit, u gjetën gjithsej 166 dërgesa postare me mallra të ndryshme, me një vlerë totale prej gati 240 mijë denarësh”.
“Mallrat e kontrabanduara u sekuestruan, dhe nga ana e inspektorëve u ngritën kallëzime penale kundër një personi juridik dhe një personi fizik për veprën penale të fshehjes së mallrave që janë objekt i kontrabandës dhe mashtrimit doganor. Konkretisht, kompania kryente trafik postar ndërkombëtar pa licencë të duhur, duke i transportuar dërgesat postare me mjete përmes pikave kufitare pa i deklaruar ato tek autoritetet doganore”.
“Më pas ato i ruante ilegalisht në një depo të cilën e posedonte me qëllim që ti transportonte deri te klientët, dhe për të cilat duhet të paguhej”, thonë nga Drejtoria e Doganave.
