Maqedonia e Veriut si shtet pretend për anëtarësim në Bashkimin Evropian, po dëshmon edhe një herë se rruga drejt Evropës po rëndohet edhe më shumë në vend që të harmonizojë politikat me standardet evropiane, ajo po prodhon ligje skandaloze, disproporcionale dhe jashtë realitetit shoqëror, ligje që shpesh nuk ekzistojnë as në vetë vendet anëtare të BE-së.
Cilët “juristë” shpikën ligjin që nuk ekziston as në BE?
Një ligj mund ta kenë përpiluar shumë juristë e këta juristë nuk dihet sa shumë dije kanë që shpikin gjëra që nuk janë praktikë në asnjë vend të Evropës, derisa ky vend po pretendon për të qenë vend i anëtar i BE-së.
Projektligji i ri për mbrojtje nga duhani është shembulli më flagrant i këtij paradoksi. Nën petkun e “shëndetit publik” dhe “mbrojtjes së të rinjve”, shteti po shndërrohet në një aparat ndëshkues, që kriminalizon sjelljen individuale dhe shtrin kontrollin policor në çdo cep të jetës së përditshme të qytetarëve.
Askush nuk e konteston faktin se duhani është i dëmshëm. As nuk e vë në dyshim nevojën për politika parandaluese. Por ajo që po propozohet këtu nuk është parandalim është kontroll absolut fiskal dhe moral, i shoqëruar me gjoba absurde për një shoqëri me paga minimale evropiane vetëm në letër.
Gjobë 100 euro për një cigare?
Në një vend ku paga minimale mezi e kalon këtë shumë? Kjo nuk është politikë shëndetësore, por ndëshkim social, që godet kryesisht shtresat e varfra, punëtorët, të rinjtë dhe pensionistët. Nëse gjoba nuk paguhet menjëherë, ajo trefishohet. Kjo logjikë nuk ekziston as në shumicën e vendeve të BE-së, ku fokusi është te edukimi, jo te terrori financiar.
Ndalesa totale e pirjes së duhanit në objekte gastronomike, kazino, bastore, madje edhe në hapësira të caktuara të hapura, përfshirë para institucioneve, shkon përtej çdo standardi evropian. Në shumë vende të BE-së ekzistojnë zona të dedikuara për duhanpirës, ventilim i kontrolluar, apo zgjedhje për pronarët e lokaleve. Në RMV, shteti sillet si pronar absolut i çdo hapësire publike dhe private.
Edhe më problematike është ndërhyrja brutale në biznes. Gjobat nga 2.000 deri në 5.000 euro për persona juridikë janë goditje direkte për sektorin e gastronomisë, i cili ende nuk është rimëkëmbur nga krizat e njëpasnjëshme. Në vend që të mbështesë bizneset shteti i trajton si kundërshtarë për t’u disiplinuar.
Nga ana tjetër, ndalesa e ekspozimit të cigareve në dyqane, ndalimi total i reklamimit edhe në internet dhe podcast-e, si dhe zgjerimi i kompetencave policore deri në automjete private, krijojnë një ambient mbikëqyrjeje dhe kontrolli, që më shumë i ngjan një diktature komuniste sesa një politike demokratike.
Ironia është se gjithë kjo bëhet në emër të BE-së. Por BE-ja nuk kërkon ligje ekstreme, kërkon balancë mes shëndetit publik, lirive individuale dhe realitetit ekonomik. Asnjë direktivë evropiane nuk kërkon që qytetari të gjobitet si kriminel për një cigare, as që policia të shndërrohet në “gjuetar duhani”.
Ky ligj nuk është evropianizim është simulim i reformës, një përpjekje për të treguar “rregull” përmes frikës dhe gjobave. Është politika e vjetër ballkanike kur nuk dimë të edukojmë, ndëshkojmë e kur nuk dimë të reformojmë duhet të ndalojmë.
Kujtojmë që, nëse RMV-ja vërtet dëshiron Evropën le të fillojë duke kuptuar se Evropa nuk ndërtohet me ndalesa absurde dhe gjoba absurde, por me politika të arsyeshme, dialog shoqëror dhe respekt për lirinë individuale. Përndryshe, ky ligj do të mbetet një tjetër dëshmi se rruga drejt BE-së po shndërrohet në një karikaturë autoritare që vështirë të bëhet realitet. /Zhurnal.mk
