Site icon Tetova Expres

Zëri i Masakrës së Reçakut: William Walker nderon 45 shqiptarët e vrarë

Sot shënohet 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë, ku 45 civilë shqiptarë mbetën të vrarë nga forcat serbe.

Në varrezat e dëshmorëve në Shtime, homazhe ka bërë edhe ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së,William Walker.

Pos tjerash, ai u përshëndet me përzemërsi edhe nga ambasadorët e QUINT-it.

Kjo masakër u bë e njohur për botën pas reagimit të menjëhershëm të Walker, i cili, pasi pa nga afër trupat e pajetë të civilëve, ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit që po kryheshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Advertisement

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe.

Exit mobile version