Site icon Tetova Expres

Rasti Ristov dëshmi e gjallë e sistemit të kalbur të (pa)drejtësisë!

Shprehja popullore “edhe muret flasin” ka qenë gjithmonë metaforë për fshehtësitë që ishte vetëm çështje kohe për tu kuptuar. Por me rastin e fundit të gjyqtarit Gjoko Ristov, kjo thënie nuk është më vetëm metaforë është bërë dëshmi e gjallë e sistemit të kalbur të (pa)drejtësisë, shkruan Zhurnal.

Çfarë është rasti Rsitov?

350 mijë euro të fshehura në murin e shtëpisë së prindërve të gjyqtarit, Gjoko ristov, nuk janë thjesht para të padeklaruara. Ato janë simbol i një drejtësie të burgosur dhe një sistemi institucional të kalbur. Ato janë gjurmë konkrete të një mekanizmi ku vendimet nuk janë shkruar me ligj, por me tarifa të padukshme.

Në një vend ku qytetarët e zakonshëm përballen me procedura të pafundme, ku drejtësia vonohet deri në varfërim financiar e dëshpërim e zhgënjim psikologjik, zbulimi i një thesari të paligjshëm në murin e një gjyqtari është dëshmi se shumë dosje nuk janë humbur rastësisht ato janë varrosur qëllimisht.

Ironia është kjo se drejtësia që duhet të jetë transparente u muros. Dhe u muros nga ata që kishin detyrë ta çlirojnë. Ky rast është më shumë se një skandal individual është një pasqyrë reale që reflekton mbi një praktikë të heshtur që qytetarët e dinë prej kohësh, që ka të bëjë me vendime të blera, ndikime politike në gjyqësi, dënime selektive, e më e rënda pafajësi të shitura me çmim të lartë.

Advertisement

Duhet një gjë ta themi qartë dhe zëshëm që paratë e gjetura në mur nuk janë vetëm korrupsion financiar, ato janë korrupsion me pasoja njerëzore. Çdo euro e fshehur mund të përfaqësojë një vendim të shtrembëruar, një familje të shkatërruar, një jetë të ndalur padrejtësisht. Nëse një gjyqtar i Apelit fsheh pasuri në mure, sa vendime janë marrë për të ndërtuar atë mur?

Sa njerëz kanë paguar lirinë e dikujt tjetër me burgun e tyre?

Rasti Ristov shkatërron një mit të rrezikshëm atë se korrupsioni në gjyqësor është i padukshëm dhe i paprovueshëm. Jo, duket që ka formë, ka peshë, ka aromë myku dhe pluhuri muri. Ky korrupsion ruhet si plaçkë lufte nëpër shtëpi private, ndërsa publikut i shitet drejtësia si teatër procedural.

Ky moment duhet të shërbejë si pikë kthese, jo si lajm i radhës që harrohet, por si aktakuzë publike ndaj një kulture të pandëshkueshmërisë. Sepse kur një gjyqtar korruptohet, nuk bie vetëm ai bie besimi kolektiv tek shteti.

Nëse sistemi nuk reagon me ndëshkim shembullor dhe me verifikim të thellë të pasurisë së gjyqtarëve, atëherë muret do të vazhdojnë të flasin por qytetarët do të pushojnë së besuari. Dhe një shtet ku drejtësia flet nga muret e fshehjes dhe jo nga gjykatat, nuk është më shtet ligjor është një ndërtesë me themele të kalbura që pret vetëm shembjen.

Advertisement

Kujtojmë që, ky është rasti i parë i kësaj natyre që ka ndodhur në vendin tonë dhe nuk duhet assesi të lejojmë që të harrohet nga ndonjë skandal tjetër. Duhet presion publik i hatashëm në mënyrë që të marrin mësim të gjithë ata që ndajnë drejtësi se herët a vonë një ditë të gjithë do të dalin zbuluar. /Zhurnal.mk

Exit mobile version