Pas protestave të qytetareve të cilët kanë punuar jashtë vendit në Irak dhe Afganistan lidhur me tatimet e dërguara nga Drejtoria e Të ardhurave Publike, sot ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim, ata thonë se politikat e padrejta dhe represive tatimore të qeverisë aktuale, godasin drejtpërdrejt qytetarët, transmeton Portalb.mk.
Sipas BDI-së, protestat para Drejtorisë së të Ardhurave Publike janë dëshmi e qartë e dështimit institucional dhe e një politike tatimore të verbër, që përmes tatimeve retroaktive po u vendos barrë të padrejtë financiare qytetarëve që për vite me radhë kanë siguruar ekzistencën e familjeve të tyre dhe kanë kontribuar në ekonominë e vendit.
Ata kërkojnë pezullim të menjëhershëm të vendimeve tatimore me efekt retroaktiv, njohje të plotë të dokumentacionit për statusin e jorezidentit dhe transparencë dhe qartësi institucionale.
Qytetarët e vendit që kanë punuar në Irak dhe Afganistan prej më shumë se dy javësh po protestojnë para Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Kumanovë por edhe në Tetovë, pasi konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat dhe se nuk duhet të tatohen dyfish.
Më 13 dhjetor 2025, qytetarët u befasuan nga vendimi i Drejtorisë së të Ardhurave Publike për mbledhjen e taksës mbi të ardhurat e padeklaruara nga jashtë Maqedonisë. Disa prej tyre thanë se nuk janë të informuar mjaftueshëm për detyrimin e deklarimit të rregullt të këtyre të ardhura, ndërsa të tjerë kishin theksuar se njoftimet nga DAP-i u kishin ardhur me vonesë, për të ardhura të realizuara vite më parë.
