Elektrodistriubumi do t’i ndryshojë matësit aktual të energjisë elektrike me matës të mençur, të cilët do të jenë të lidhur me aplikacion të posaçëm dhe qytetarët do të mund ta ndjekin shpenzimin e energjisë elektrike përmes telefonave celularë.
Megjithatë një pjesë e qytetarëve frikësohen se nuk do të mund të përshtaten këtë situatë. Nga ana tjetër, disa qytetarë mendojnë se matësit e mençur do të sjellin më shumë rregull dhe transparencë, pasi secili do të ketë pasqyrë të qartë për shpenzimin dhe do të shmangen faturat paushalle për energjinë elektrike.
“Mundemi pse jo, normalisht, kur mund të paguajmë faturat, mundemi edhe atë ta kontrollojmë përmes telefonit”, tha një qytetar.
“A do të jetë shumë e qartë dhe a do të na besojnë, për shembull unë të lexoj dhe t’i them kam harxhuar 200 kilovat dhe a do të më besojnë për këtë, ata tani bëjnë disa gjëra që nuk mund t’i kuptojmë, ja tani shkoj në bankë, drejt të ju them, ma kthejnë faturën – thonë është paguar, ndërsa unë e di që nuk është paguar”, u shpreh një qytetar.
“Nuk e di unë këto gjëra sa kam harxhuar – jo jo, nuk mund ta bëjnë njerëzit e verbër këtë”, theksoi një qytetar.
Sipas Komisionit Rregullator të Energjetikës, futja në funksion e sistemeve të mençura të matjes është një hap kyç drejt eliminimit të dilemave nëse faturat e energjisë bazohen në konsum real apo të supozuar.
“Ligji është në fuqi, ndërsa operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes duhet të bëjnë analizë për futjen e matësve të mençur. Qëllimi është që çdo qytetar vetë të ketë pasqyrë për shpenzimin përmes pajisjes mobile ose kompjuterit. Digjitalizimi do ta rrisë besimin”, thonë Komisioni Rregullator për Energjetikë
Futja në funksion e matësve smart është në proces dhe mund të zgjasë disa vite, përmes tyre qytetarët do të mund të kontrollojnë në kohë reale sa energji elektrike kanë harxhuar. Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut ka rreth 820 mijë matës, ndërsa EVN është e obliguar t’i lexojë të paktën një herë në tre muaj./ Alsat.mk
