Punonjësit e Postës së Maqedonisë sot dolën në protestë për shkak të vonesës së pagës për muajin dhjetor, duke shprehur pakënaqësi për, siç thonë ata, mosrespektimin e vazhdueshëm të afateve ligjore për pagesë, transmeton Portalb.mk.
Ata theksuan se punojnë për pagë minimale, por edhe atë nuk arrijnë ta marrin me kohë, duke paralajmëruar se nëse kjo përsëritet edhe muajin e ardhshëm, do të marrin vendim për hapat e mëtejshëm, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia e grevës.
Në protestë nuk morën pjesë vetëm punonjës nga degët e Shkupit, por edhe kolegë të tyre nga disa qytete të tjera të vendit.
Kryetari i Organizatës Sindikale të Postës së Maqedonisë, Sasho Dimitrievski, deklaroi se vonesat e pagave po zgjasin tashmë disa muaj dhe se protesta e sotme është reagim i drejtpërdrejtë ndaj mospagimit të pagës së dhjetorit.
Mbështetje për protestat dha edhe kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Slobodan Trendafilov, i cili tha se rreth dy mijë punonjës të Postës këtë muaj kanë mbetur pa pagë dhe festat i kanë kaluar pa asnjë të ardhur.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, së fundmi ka paralajmëruar ristrukturimin e Postës së Maqedonisë.
