Një fëmijë i mitur për katër ditë me rradhë është strehuar dhe ka fjetur në hapësirë të jashtme në ish shtëpinë e re të Mallrave në Tetovë.
Ai për katër ditë rradhazi derisa sot është hetuar nga Policia e Tetovës ka qëndruar duke përballuar temperaturat e ulta në këto ditë të ftohta dimri.
Ndërkaq, sot në orët e paraditës inspektorë të policisë së Tetovës kanë informuar edhe institucionet tjera siç është Qendra ndërkomunale për Punë Sociale të cilët erdhën në vendin e ngjarjes për të procesuar më tutje rastin deri në zgjidhjen përfundimtare ligjore.
Fëmija sipas informacioneve ishte nga Kumanova por gjatë tërë kohës vështirë ka komunikuar me policët dhe puntorët social.
Sipas procedurës ligjore, Qendra për Punë Sociale e Tetovës duhet të lajmërojë qendrën adekuate për punë sociale në këtë rast qendrën e Kumanovës, që të merren me përkujdesjen e të miturit të bisedohet me prindërit e tij që të kthehet eventualisht në familje dhe në rastin më të keq, të strehohet në ndonjë shtëpi strehimi për të mitur.
Raste e këtilla kohëve të fundit janë në rritje e sipër jo vetëm në Tetovë por edhe në qytete tjera të Maqedonisë perendimore ku të miturit vijnë si lypës. Në të shumtën e rasteve këto të mitur kanë edhe persona të rritur që ua marrin paratë veçanërisht gjatë muajve të verës kur në qytetet tona vijnë për pushime bashkëatdherët tanë që punojnë në shtetet e ndryshme evropiane.
Ndërkohë, lidhur me këtë fenomen, Qendrat për Punë sociale duhet të risin kapacitetet e tyre profesionale në vazhdimësi dhe të jenë prezent në çdo rrugë të Tetovës që të merren me të miturit lypës dhe të kujdesen që ata të rriten në familjet e tyre e jo në rrugë sepse rruga prodhon narkomanë , kryerës të veprave penale dhe sjellje tjera devijante. Prandaj edhe qytetarët duhet të jenë më vigjilent dhe kur të hetojnë raste të këtilla ti paraqesin në policinë e Tetovës që të merren masa në kohë dhe mos të shofim fëmijë në kulmin e dimrit të flejnë në rrugët dhe këndet e Tetovës. /TV KOHA/
