Dhjetëra persona që kanë punuar në shtetet e lindjes, sot sërish protestuan përpara Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Tetovë për të kërkuar anulimin e vendimit për pagesë të tatimeve. Protestuesit kërkojnë pezullim të menjëhershëm të vendimeve tatimore me efekt retroaktiv, njohje të plotë të dokumentacionit për statusin e jorezidentit dhe transparencë dhe qartësi institucionale.
Protestës së sotme në Tetovë ju bashkangjitën edhe kolegët nga Kumanova. Ata njoftuan se të premten do të kenë takim me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike Elena Petrova. Sipas tyre, Petrova nuk ka pranuar takim në Kumanovë por në zyrat e drejtorisë. Protesuesit njoftojnë se kanë patur një takim jozyrtar me drejtoreshën u janë dhënë shumë premtime por nuk është realizuar asgjë.
“Qëndrimet tona janë të qarta. Të gjitha vendimet që na janë lëshuar të ndërpriten sepse ne kemi punuar nga gjashtë ose shtatë muaj. Ne kemi dëshmi se kemi paguar atje tatime dhe të gjitha dëshmitë që i kanë kërkuar ne i kemi dorëzuar por nuk janë marrë parasysh. Kërkojmë përgjegjësi se pse nuk kanë njoftuar në kohë dhe pas pesë vitesh na kërkojnë të paguajmë tatime kur dihet se këto vendime na janë lëshuar 15 ditë para vitit të ri. Nuk kemi pasur kohë të grumbullojmë dokumentet dhe akoma nuk kemi.Vendimet janë lëshuar, ne kemi pasur kohë 30 ditë ta anikojmë dhe jemi duke e bërë”, tha Zoran Nakovski.
“Në atë takim është dhënë premtim se institucionet qendrore shtetërore do të ndihmojnë që të sigurojmë dokumente, Ministria e Punëve të Brendshme do të na jep vërtetime për hyrje dalje nga shteti me qëllim që ti ato ti sigurojmë si dëshmi se ne në ato momente nuk kemi qenë në shtet. Pra, nuk mund të na thotë dikush se ne jemi rezident por ke qenë 7 ose 8 muaj jashtë shtetit. Pra, duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët që këto vendime të stopohen” thotë Zhikica Milanov.
Më 13 dhjetor 2025, qytetarët u befasuan nga vendimi i Drejtorisë së të Ardhurave Publike për mbledhjen e taksës mbi të ardhurat e padeklaruara nga jashtë Maqedonisë. Disa prej tyre thanë se nuk janë të informuar mjaftueshëm për detyrimin e deklarimit të rregullt të këtyre të ardhura, ndërsa të tjerë kishin theksuar se njoftimet nga drejtoria për të ardhura publike u kishin ardhur me vonesë, për të ardhura të realizuara vite më parë.
