Më 27.01.2026, Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme i ka paraqitur Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kallëzim penal kundër M.Z. (37), I.B. (61) dhe G.B. (59), të gjithë nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “prodhim dhe vënie në qarkullim të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, sipas nenit 215 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Sipas kallëzimit, më 26.01.2026, M.Z. nga një person nga Struga ka blerë një automjet motorik “Opel Combo” me targa kombëtare zvicerane, në të cilin, së bashku me I.B., kanë vendosur drogë narkotike – marihuanë. Më pas kanë kontaktuar G.B. me qëllim që automjeti të tërhiqej (shlepohej) nga Struga në Shkup për një çmim prej 200 eurosh, pasi automjeti nuk ishte në gjendje për qarkullim.
Pas mbërritjes në Shkup, i dyshuari i parë M.Z., së bashku me të dyshuarin e dytë I.B., i kanë kërkuar të dyshuarit të tretë G.B. që për shumën prej 40 eurosh të vazhdonte transportin deri në Sveti Nikollë, duke e tërhequr automjetin pas një automjeti “Mercedes”, me të cilin ata udhëtonin. Në rrugën rajonale, në afërsi të Sveti Nikollës, zyrtarët policorë, mbi bazën e informatave të marra më parë se do të kryhej transport i një sasie të madhe droge, e kanë ndalur automjetin transportues “Iveco” që po tërhiqte automjetin “Opel Combo”. Gjatë kontrollit të sediljes së pasme dhe hapësirës së bagazhit të automjetit “Opel”, janë gjetur tetë çanta, në të cilat ndodheshin 50 paketime me marihuanë, ndërsa bëhet fjalë për gjithsej 150 kilogramë.
