Site icon Tetova Expres

Mali i Zi shfuqizon dispozitën ligjore për të dielën si ditë jopune

Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi rrëzoi dispozitën ligjore nga viti 2019, me të cilën u vendos e diela jopune në tregti, duke e shpallur antikushtetuese, pasi me të shkelet liria e sipërmarrjes dhe parimi i barazisë së të gjithëve para ligjit.

“Gjykata vlerësoi se me dispozitën në fjalë shkelet liria e sipërmarrjes e garantuar me Kushtetutë, si dhe parimi kushtetues i barazisë së të gjithëve para ligjit, pasi një grupi sipërmarrësish/tregtarësh i është mundësuar të ushtrojë veprimtarinë të dielave dhe në ditët e festave shtetërore dhe të tjera, ndërsa një grupi tjetër i është ndaluar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar të mërkurën.

Unioni i Punëdhënësve të Malit të Zi i paraqiti Gjykatës Kushtetuese një nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 35a të Ligjit për tregtinë e brendshme, me të cilin parashikohej se tregtia me shumicë dhe pakicë nuk mund të ushtrohet të dielave dhe në ditët e festave shtetërore dhe të tjera, përveç një numri të vogël përjashtimesh.

Gjykata arsyetoi se, duke i lejuar një grupi sipërmarrësish (farmacitë, pastiçeritë, furrat e bukës, kioskat e shtypit, dyqanet e suvenireve, luleshitësit, dyqanet e pajisjeve funerale, dyqanet për mbrojtjen e bimëve, stacionet e karburantit, tregjet, etj.) të punojnë, ndërsa një grupi tjetër jo, një grup i ekonomistëve është vënë në pozitë të pabarabartë në raport me tjetrin.

“Kjo ndalesë nuk ka justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, nga aspekti i detyrimit kushtetues të shtetit për t’u siguruar të gjithë sipërmarrësve pozitë të barabartë në treg. Për më tepër, ndalimi i punës të dielave dhe në ditët e festave shtetërore dhe të tjera vetëm për disa tregtarë ka sjellë kufizim të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe shkelje të parimit kushtetues të harmonisë së akteve juridike”, thuhet në vendim.

Advertisement

Gjykata konstatoi se në procedurën e miratimit janë shkelur dispozitat që lidhen me ndalimin e punës të dielave dhe në ditët e festave shtetërore dhe të tjera, si dhe përjashtimet nga kjo ndalesë.

“Gjykata Kushtetuese nuk cenon të drejtën e ligjvënësit që në mënyrë tjetër të rregullojë ushtrimin e tregtisë me shumicë dhe pakicë të dielave, por me respektimin e vlerave themelore kushtetuese përkatëse, përkatësisht të të mirave kushtetuese të mbrojtura, për të cilat Gjykata Kushtetuese ka dhënë udhëzime në këtë vendim.”

Ndalimi i punës së dyqaneve të dielave dhe në ditët e festave shtetërore dhe të tjera mbetet në fuqi deri në publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Fletoren Zyrtare të Malit të Zi.

Exit mobile version