Pas protestave të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë për rritjen e pagës minimale nga 397 euro në 600 euro, nuk kanë pushuar reagimet e partive politike, por edhe të vet sindikatave. Nga VMRO-DPMNE-ja kanë akuzuar kryetarin e Lidhjes së Sindikatave, Sllobodan Trendafillov, se ky i fundit hodhi poshtë një rritje të pagave prej 40 për qind në 2 vitet e ardhshme, vendim që ishte në dëm të punëtorëve. Ndërsa, Kryeministri e ritheksoi se ai përkrah çdo zgjidhje që do të arrijnë punëdhënësit dhe Lidhja e Sindikatave të Punëtorëve.
“Ne u ofruam vitin e kaluar dhe këtë ja po e bëj publike, ofertë kjo e cila akoma është e hapur në tavolinë, që përfshin nga paga për muajin mars të vitit 2026 deri në mars të vitit 2028. Kjo tregon se, që nga muaji prill i këtij viti deri në muajin prill të vitit 2028, rritja e pagave të jetë diku për 40 për qind, por nga LSM-ja atë e refuzuan.”, – deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSM: Pagë minimale 600 euro
Por, nga LSM-ja kanë hedhur poshtë këtë pohim dhe shprehen të gatshëm të nënshkruajnë një marrëveshje të re kolektive, por nëse nuk ka rritje të pagës minimale protestat do të vazhdojnë. Nga Lidhja e Sindikatave nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe se rritja e pagës minimale në 600 euro është vijë e fundit e tolerancës.
“Që nesër le të vijnë Qeveria, Kryeministri, Ministri i Financave, Ministri i Punës apo dikush tjetër, po ju them se menjëherë do ta nënshkruaj një marrëveshje të tillë kolektive dhe do t’i presim me vulë dhe me stilolaps në duar. Opinionit duhet t’i tregohet drejt, se një marrëveshje të tillë kolektive nuk kemi pasur asnjëherë në tavolinë. Lëshime mund të bëhen vetëm në rritje të pagës minimale, por jo edhe të ulet, 600 euro është vija e fundit e kuqe, ku ne si LSM do të pranojmë të bisedojmë, mund të flasim për 650 apo 700.”, – theksoi Tërpe Deanoski nga LSM.
Organizata e punëdhënësve kundër LSM-së
Por, Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve, kanë pohuar se kjo kërkesë e LSM-së është e pabazë.
“36 mijë denarë paraqet rritje prej 47 për qind të pagës së tanishme minimale, dhe kjo nuk bazohet në asnjë kriter ekonomik. Në vend nuk ka pasur rritje prej 47 për qind të asnjë produkti ose lëmie, prandaj kërkesat e tyre janë të pabaza. Direktivat evropiane parashohin që tek vendet anëtare paga minimale të sillet rreth 50 për qind nga paga mesatare.”, – u shpreh kryetari i Organizatës së Punëdhënësve, Angel Dimitrov.
LSDM-ja ofron zgjidhje të reja ligjore
Përderisa Qeveria çështjen e rritjes së pagës minimale e hedh tek Sindikata e Punëdhënësve dhe Lidhjes së Sindikatave, nga partia opozitare LSDM kanë dhënë propozim-ligje, të cilat do të dorëzohen në Kuvend.
“Ne kemi përgatitur zgjidhje të reja ligjore, të cilat do t’i dorëzojmë në Kuvend, do të kërkojmë që paga minimale të rritet në 600 euro, si dhe ngrirje të pagave të funksionarëve. Këtë propozim-ligj do t’ia dërgojmë Lidhjes së Sindikatave, dhe ta analizojnë, apo nëse kanë sugjerime.”, – deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
Të dhënat zyrtare treguan se midis 25.000 dhe 35.000 punëtorë marrin pagën minimale ose një pagë më të ulët se minimumi i përcaktuar me ligj. Për më tepër, ajo që i shqetëson sindikalistët është struktura e pagave në gjysmën e parë të vitit 2025. Të dhënat thonë se deri në 33.5% e punonjësve morën një pagë më të ulët se 30.000 denarë, ndërsa 73% e punëtorëve morën një pagë nën mesataren. FITIM KRYEZIU
