Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dekretoi Kodin Penal. Thotë se ka vërejtje, por sipas saj është më i mirë se Kodi paraprak Penal. Siljanovska thotë se ndryshimet i pranon vetëm si tranzicion, pra deri në miratimin e Kodit tërësisht të ri në qershor.
“Unë e kam nënshkruar ligjin ja do të them përse. Kam menduar, por kam edhe unë vërejtje për disa zgjidhje por më së voni pres që ky tranzicion të tejkalohet në qershor, siç më kanë shpjeguar, sepse unë kërkova sqarime të detajuara. Do ta toleroj këtë vetëm në prag të pritjes së Kodit të ri Penal, për të cilin punohet gjatë kohë dhe sipas meje do të jetë kyç edhe për reformat në gjyqësor”, tha Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
Siljanovska tha se e mbështet plotësisht edhe ligjin për kundërvajtje në trafik, respektivisht sistemin “Safe City”. Ajo thotë se iniciativat që e vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e sistemit janë të pabaza.
“Unë jam juriste dhe teza se sistemi ka të bëjë vetëm me disa qytete është tezë laike nuk është tezë e bazuar juridikisht sepse në Kumanovë, Shkup dhe Tetovë nuk drejtojnë automjetet vetëm banorët e atyre qyteteve por ka shoferë nga i gjithë shteti. Unë nuk shoh këtu diskriminim. Diskriminimi është i mundshëm vetëm nëse bëhet fjalë për dallime në baza gjinore, mbi baza të çfarëdolloj përkatësie”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
“Safe City” do të hyjë në fuqi të plotë më 1 shkurt, kur dhe do të nis zbatimi i gjobave ndaj shkeljeve të detektuara nga sistemi i kamerave. Gazetare: Ajnur Bafqari
