Të paktën 85 persona kanë humbur jetën në mbarë SHBA-të si pasojë e një stuhie të fuqishme dëbore dhe temperaturave ekstremisht të ulëta, që kanë zbritur deri në minus 40 gradë, njoftuan zyrtarët amerikanë.
Gjysma e rasteve të vdekjes janë regjistruar në Tennessee, Mississippi dhe Louisiana. Ndërsa disa vdekje janë pasojë e hipotermisë, për të tjera dyshohet se kanë ardhur si rezultat i ekspozimit ndaj monoksidit të karbonit, për shkak të përdorimit të burimeve të improvizuara të ngrohjes në zona pa energji elektrike.
Më shumë se 230.000 amvisëri dhe biznese vazhdojnë të jenë pa rrymë, sipas të dhënave të faqes Poweroutage.us, pasi një stuhi e madhe dimërore goditi pjesën lindore të SHBA-së fundjavën e kaluar.
Numri më i madh i ndërprerjeve të energjisë elektrike vazhdon të jetë në Mississippi dhe Tennessee, me rreth 87.000 konsumatorë pa rrymë në secilin prej këtyre shteteve.
Meteorologët paralajmërojnë se moti i ftohtë do të zgjasë në lindje të SHBA-së të paktën deri në muajin shkurt dhe se gjatë fundjavës priten reshje të dendura dëbore në Karolinën e Veriut dhe të Jugut, Virginia dhe në verilindje të Georgias.
Borë është e mundur edhe në disa pjesë të bregdetit të Karolinës së Veriut, si dhe përgjatë bregut lindor nga Maryland deri në Maine.
Me një valë të re të ftohti të rrezikshëm që po përhapet drejt jugut, ekspertët paralajmërojnë se rreziku i hipotermisë po rritet për banorët e Mississippi-t dhe Tennessee-s, ku shumë prej tyre hyjnë në ditën e gjashtë pa energji elektrike. Temperaturat vazhdojnë të bien nën zero.
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i SHBA-së (National Weather Service) njoftoi se ajri arktik që po lëviz drejt juglindjes do t’i ulë edhe më tej temperaturat, deri rreth minus 10 gradë në qytete si Nashville, ku mbi 79.000 amvisëri dhe biznese ende janë pa rrymë.
Qindra pjesëtarë të Gardës Kombëtare (National Guard) janë mobilizuar në Mississippi dhe Tennessee për të pastruar rrugët, për të ndihmuar njerëzit e bllokuar në automjete dhe shtëpi, si dhe për të shpërndarë furnizime bazë.
Guvernatori i Mississippi-t, Tate Reeves, deklaroi se trupat po dërgojnë ushqime, batanije dhe furnizime të tjera me helikopterë dhe kamionë, ndërsa guvernatori i Tennessee-s, Bill Lee, tha se njësitë e shpëtimit kanë shpërndarë më shumë se 600 pajisje ngrohjeje dhe mbi 8.300 litra karburant.
