Zëvendëskryeministri Arben Fetai, në emisionin “Rishtazi” në KohaCast, ka deklaruar se Ligji për kundërvajtje, i njohur si sistemi “Safe City”, është politizuar pa nevojë, duke u shoqëruar me dilema, propagandë dhe përpjekje për etnizim të tij. Sipas Fetait, “Safe City” është një sistem i konceptuar për të vendosur rend në qarkullimin publik dhe për të ulur numrin e aksidenteve fatale në trafik. “Bëhet fjalë për një sistem që synon të vendosë rend në qarkullimin publik dhe të ulë shkallën e vdekshmërisë në aksidentet rrugore. Ai është menduar dhe dizajnuar mbi bazën e statistikave që shteti disponon lidhur me aksidentet e trafikut në nivel vendi”, ka deklaruar Fetai.
Zëvendëskryeministri ka theksuar se qasja e Qeverisë është parandaluese dhe jo ndëshkuese, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se qëllimi është mbledhja e gjobave për mbushjen e buxhetit. “Qëllimi ynë nuk është të ndëshkojmë qytetarët apo të mbledhim para për buxhetin, siç u paraqit nga një pjesë e opozitës. Qasja është parandaluese dhe ka të bëjë me sigurinë publike”, tha Fetai.
Ai sqaroi se ligji ende nuk zbatohet plotësisht dhe se aktualisht sistemi ndodhet në fazë testuese. Sipas tij, operacionalizimi i plotë i sistemit, përfshirë edhe shqiptimin e dënimeve, do të nisë nga data 1 shkurt. Fetai po ashtu nënvizoi se dërgimi i njoftimeve përmes SMS-ve është ende në fazë testimi dhe se Qeveria ka garantuar respektimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. “Kemi qartësuar se do të respektohet ligji për përdorimin e gjuhëve dhe njoftimet do të dërgohen në dy gjuhë. Këtë e garantojmë”, theksoi Fetai.
