Vesna Janevska, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, mbrëmë në “Clik Plus” në TV21, përsëriti edhe një herë se nxënësit në Maqedoninë e Veriut deri në moshën 15 vjeç kanë 900 orë më pak se bashkëmoshatarët e tyre në vendet e BE-së. Ajo njoftoi një projekt me të cilin nxënësit do të qëndrojnë më shumë në shkolla.
“Deri 15 vjeç, nxënësit tanë kanë 900 orë më pak se bashkëmoshatarët e tyre në BE, dhe ky sistem me një turn të vetëm mundëson t’i mbajmë ata në shkollë, ku përmes lëndëve formale, por edhe aktiviteteve jashtëmësimore, përmes çdo lloj angazhimi që mësuesit do t’u ofrojnë në shkolla, të fitojnë njohuri dhe aftësi, së bashku me bashkëmoshatarët dhe mësuesit që duhet t’i udhëheqin drejt asaj që mësojnë. Një nga mjetet është ky. A do të pastrojnë oborrin, a do të mësojnë fotografi, a do të përgatisin picë, apo do të diskutojnë për jetën… e gjithë kjo është fitim njohurish dhe duhet ta bëjnë në shkollë, jo jashtë saj”, deklaroi Janevska.
