Spitalet psikiatrike në Bardovcë, Demir Hisar dhe Negorcë kanë qenë të përfshira në një projekt shkencor ndërkombëtar që lidhet me grumbullimin e mostrave të trurit për kërkime shkencore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ende nuk është e qartë se cili ka qenë roli konkret i këtyre institucioneve.
Kjo rezulton nga raporti vjetor për vitet 2004/2005 i Departamentit të Psikiatrisë të Universitetit “Kolumbia” në SHBA, i siguruar nga “Sloboden Peçat”.
Në raport përmendet bashkëpunimi me profesorët dhe mjekët e mjekësisë ligjore nga Maqedonia e Veriut, Aleksej Duma dhe Gorazd Rosoklija.
Sipas dokumentit, projektet kërkimore të asaj periudhe përfshinin studime mbi anomalitë strukturore të dendriteve te skizofrenia dhe çrregullimet e humorit, si dhe kërkime mbi korrelacionet neuropatologjike të demencës dhe skizofrenisë. Në kuadër të këtyre projekteve është realizuar edhe grumbullimi i mostrave të trurit dhe të dhënave klinike nga obduksionet e pacientëve psikiatrikë, rasteve të vetëvrasjes dhe rasteve krahasuese në Maqedoninë e Veriut.
Në raport përmenden si institucione bashkëpunuese Instituti i Mjekësisë Ligjore, Spitali Psikiatrik i Shkupit (Bardovcë), spitalet në Demir Hisar dhe Negorcë, si dhe Fakulteti i Mjekësisë. Megjithatë, nuk specifikohet qartë se çfarë roli konkret kanë pasur spitalet psikiatrike në realizimin e projektit.
Raporti thekson se një nga bashkautorët e projektit, doktori Andrew J. Dwork, ka studiuar veçoritë neuropatologjike të skizofrenisë dhe lidhjen e saj me demencën, e cila paraqitet shpesh te pacientët më të moshuar me këtë diagnozë.
Bardovca, Demir Hisari dhe Negorca në projektin “truri në SHBA”: paqartësi për rolin e spitaleve
