Prespa është një nga ekosistemet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme në rajon, ndaj studiues dhe ekspertë nga Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut përgjatë tre ditëve do të sjellin zhvillimet më të fundit në kërkimin shkencor dhe sfidat me të cilat po përballet kjo zonë e mbrojtur.
Sipas ekspertëve rënia e ndjeshme e nivelit të ujit në liqenet e Prespës, e lidhur me ndryshimet klimatike, mungesa e reshjeve dhe borës, si dhe ndikimi i aktivitetit njerëzor janë në fokus të studimeve me qëllim hartimin e masave sa më efektive për menaxhimin e zonës.
Giorgos Catsadorakis, biolog shprehet “Të gjithë i dimë problemet aktuale të të dy liqeneve të Prespës dhe ishte koha të bënim bashkë shkencëtarë nga të tre shtetet që ndajnë të njëjtin liqen. Për shkak të krizës klimatike dhe ndryshimet e saj, kemi më pak borë, më pak shi, niveli i ujit ka rënë ndjeshëm, herët a vonë banorët rreth kësaj zone do të duhet të bëjnë diçka për ekonominë dhe jetesën e tyre.
Problemi është që ne duhet të mbrojmë vlerat natyrore dhe të jemi të aftë të harmonizojmë masat menazhuese me adaptimin e banorëve.“
