Pjesa pranverore e kampionatit në Ligën e Parë të futbollit vendor fillon me 10 shkurt, ndërsa ndeshjet hapëse janë Shkëndija – Struga Trim Lum dhe Shkupi – Tikveshi
Komisari për gara në kuadër të federatës së futbollit të Maqedonisë, Vasko Dojçinovski ka publikuar ndeshjet e javës së 17 që përkon me fillimin e pjesës së dytë të kampionatit në Ligën e Parë të futbollit vendor që starton me 10, 11 dhe 12 shkurt. Siparin e xhiros së 17 që luhet më 10 shkurt e martë me fillim në orën 14:00, hapet me super derbin Shkëndija – Struga Trim Lum dhe Shkupi – Tikveshi. Të mërkurën më 11 shkurt gjithashtu zhvillohen dy ndeshje Vardari – Arsimi dhe Sileksi – Bashkimi, ndërsa java e 17 kompletohet me dy ndeshjet që zhvillohen më 12 shkurt mes ekipeve AP Brera – Makedonija GJ.P dhe Pelisteri – Rabotniçki. Kujtojmë se renditjen tabelore e kryeson Vardari me 42 pikë, para Struga Trim Lum me 41 dhe Shkëndija në vendin e tretë me 36 dhe Sileksi në vendin e katërt me 31 pikë.
Menjëherë pas kësaj, më 14 shkurt nis xhiroja e 18-të me përballjen Tikveshi – Shkëndija, ndërsa ndeshjet e tjera do të luhen në ditët në vijim deri të martën. Nga Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut është bërë e ditur se, pavarësisht konsultimeve për zhvillimin e ndeshjeve në dy ditë, për arsye teknike sezoni pranveror do të vazhdojë me të njëjtin sistem si në pjesën vjeshtore, duke garantuar implementimin e VAR-it në çdo ndeshje të Ligës së Parë.
Shaban Sinani – TV KOHA
