Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, zhvilloi një drekë miqësore dhe takim pune me Kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, ku në qendër të bisedimeve ishin çështjet lokale, projektet në zhvillim dhe perspektiva evropiane e vendit.
Meidani theksoi se gjatë takimit u diskutua për përparimet konkrete në nivel komunal, veçanërisht në fushat e infrastrukturës dhe arsimit, duke e përgëzuar Kasamin për ndryshimet e dukshme që, sipas tij, tashmë po ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët në terren.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua edhe procesit të integrimit evropian, ku u theksua rëndësia e anëtarësimit në Bashkimin Evropian si një kornizë kyçe për zhvillim të qëndrueshëm, institucione më funksionale dhe standarde më të larta jetese për komunitetet.
Takimi u karakterizua nga një shkëmbim i hapur idesh mbi hapat e ardhshëm, nevojën për bashkëpunim institucional dhe ndërtimin e një vizioni të përbashkët për një të ardhme më të afërt me qytetarët dhe më të integruar në familjen evropiane.
