Vendimi vjen pas paqartësive të krijuara rreth statusit të udhëheqjes, pasi një person i prezantuar si “i autorizuar” nga ish-presidenti ka komunikuar se ka marrë drejtimin e klubit. Grupi i tifozëve thekson se autorizimi i prezantuar nuk dëshmon transferim pronësie, por vetëm përfaqësim administrativ, çka ka nxitur shqetësime për transparencën dhe të ardhmen e funksionimit të klubit.
Duke mos arritur marrëveshje të shkruar për formën e bashkëpunimit dhe drejtimin e klubit, përfaqësuesit e tifozëve kanë vendosur të pezullojnë aktivitetet deri në sqarimin e situatës, duke theksuar përgjegjësinë ndaj lojtarëve, stafit dhe opinionit sportiv.
“Këshilli për shpëtim dhe rikthim të ndershmërisë, dinjitetit dhe identitetit të Klubit Futbollistik Shkupi” deri sa të arrihet një marrëveshje e shkruar mes nesh dhe “personit të autorizuar nga ish presidenti”, NGRIJMË TË GJITHA AKTIVITETET TONA NË KLUB DHE RRETH KLUBIT, ndërsa “personit të autorizuar nga ish presidenti” i urojmë fat dhe punë të mbarë në shpëtimin e klubit
Situata mbetet e hapur, ndërsa pritet një zgjidhje institucionale në prag të nisjes së pjesës pranverore të sezonit.
