Site icon Tetova Expres

HETIM PËR KEQPËRDORIM TË KANABISIT MJEKËSOR

 Ministria e brendshme në Maqedoni ka zhvilluar një aksion në të cilin janë konfiskuar 27 tonë marihuanë, të lidhura me një rast të mëparshëm kontrabande drejt Serbisë. Hetimi është fokusuar në keqpërdorimin e licencave për kanabis mjekësor nga kompania “Alfafarm”, duke hapur çështjen e mangësive sistemike në kontrollin e këtij sektori biznesi. Aktivitetet u përqendruan në dy lokacione kyçe: në Shkup, në rrethin e ish-fabrikës OHIS, ku u gjetën rreth 10 tonë drogë të magazinuara në objekte të një firme private, dhe në rajonin e Strumicës, ku në një aksion paralel u konfiskuan edhe 18 tonë të tjera marihuanë. Ky aksion i koordinuar përfshiu dhjetëra automjete policore, kamionë dhe njësi speciale; në terren mbështetje logjistike ofroi edhe Drejtoria e Doganave, ndërsa ekipe mjekësore ishin të pranishme për asistencë gjatë përpunimit të materialeve.

I pyetur për aksionin e Policisë që ka rezultuar me sekuestrimin e tonelatave me marihuanë në Shkup dhe Strumicë, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha se nuk është kompetencë e MSH-së se si kompanitë legale për prodhim të marihuanës mjekësore, kanë arritur që ta nxjerrin drogën jashtë objektit. Aliu tha se MSH ka dhënë 60 leje për këtë veprimtari, ndërsa 18 prej tyre janë marrë për shkak se kompanitë nuk i kanë plotësuar kushtet e nevojshme.

“Deri tani kemi dhënë 60 leje, prej atyre 18 janë marrë për shkak se nuk është…nuk i kanë plotësuar kushtet minimale që duhet t’i ketë një prodhues i tillë. Gjithashtu në bazë të ligjit dhe protokolleve, dy herë në 6 muaj, dmth në çdo 3 muaj duhet të japin raport të rregullt, ndërsa raport nëse ka ndonjë ndryshim do të duhet të jepen në kohë reale. Të gjitha dokumentet janë pjesë e Ministrisë dhe pjesë e Arkivës sonë, pra ne gjithashtu ndjekim në formë të Inspektoratit në formë të rregullt si program vjetor, edhe si program ad hock nëse do të ketë nevojë. Pjesa tjetër nuk është në ingirencë të Ministrisë, por është në ingirencë të MPB-së. Pra në pjesën tjetër ku janë kapur dhe pse kanë dalur jashtë objektit, nuk është që MSH duhet dhe mund ta ndjek”, theksoi Aliu

Nga ana tjetër LSDM-ja opozitare përmes një kumtesë për media thotë se ende nuk ka përgjigje se si kaluan 5 ton drogë në kufirin e Maqedonisë dhe përfunduan në Serbi. Nga kjo parti thonë se është e qartë se pa mbështetjen e strukturave në qeveri, Ministrinë e Brendshme, Doganat, është e pamundur që 5 ton drogë të kontrabandohen përtej kufirit.

“LSDM ka ngritur alarmin prej ditësh për lidhjen midis strukturave kriminale në Maqedoni dhe Serbi. Qeveria hesht, ashtu siç hesht për fotografitë e Mickoskit me kriminelin Sime. Tani qytetarët po shikojnë një fushatë mediatike me sekuestrime kanabisi dhe përpjekje të qeverisë për të shpërqendruar nga pyetja kryesore: kush lejoi që 5 ton drogë të kalonin kufirin? Kjo është një farsë e madhe dhe nëse bëhet fjalë për kanabis të ligjshëm, atëherë mund të hapet një problem i ri. Cilat janë faktet? Baza ligjore për prodhimin e kanabisit mjekësor në Maqedoni u krijua nga VMRO-DPMNE dhe Nikola Gruevski me ndryshimet në Ligj më 9 shkurt 2016. Licenca e parë për kultivimin e kanabisit mjekësor në Maqedoni u lëshua në shkurt 2017 gjatë periudhës së VMRO-së”, thonë nga LSDM.

Advertisement

Në qendër të hetimit është kompania “Alfafarm” SHPK Shkup, kompani e regjistruar në vitin 2023 me kapital themeltar prej rreth 529.000 eurosh. Megjithëse firma posedonte licencë për kultivimin dhe përpunimin e bimëve për përdorim farmaceutik, të lëshuar në vitin 2024, hetuesit dyshojnë se sasi të mëdha të prodhimit kanë përfunduar në tregun e zi, në vend që të shpërndaheshin përmes kanaleve legale mjekësore. Analiza e të dhënave nga Regjistri Qendror tregon ndryshime të dyshimta në strukturën pronësore të Alfafarm vetëm disa ditë para zbulimit të dërgesave ilegale në Serbinë fqinje. Më 29 janar 2026, pranë fshatit Konjuh afër Krushevcit në Serbi, u konfiskuan 5 tonë marihuanë me vlerë të vlerësuar mes 7 dhe 10 milionë eurosh. Droga ishte transportuar nën maskën e eksportit të kastravecëve (kornishonëve), ndërsa mes të arrestuarve në Serbi ndodhet edhe një nga pronarët e Alfafarm SHPK Shkup. Autoritetet dhe mediat serbe në Beograd konfirmuan se dërgesa kishte origjinë nga territori i Maqedonisë, çka nxiti një shkëmbim intensiv informacioni mes dy shteteve përmes Prokurorisë. Ky kanal tranziti kishte qenë objekt i një hetimi disa mujor, i cili kulmoi me zbulimin e magazinave në Shkup dhe Strumicë. TV KOHA

Exit mobile version