26 motele e vila janë mbyllur nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.E gjithë kjo në kuadër të një aksioni të gjerë inspektues në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, me qëllim të sigurimit të respektimit të standardeve ligjore, mbrojtja e konsumatorëve, garantimi i konkurrencës së ndershme në treg si dhe verifikimi i përmbushjes së obligimeve ligjore nga ana e subjekteve ekonomike.Siç njofton MINT, 26 motelet e vilat janë mbyllur për shkak të mosregjistrimit të bizneseve si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike.“Ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, inspektorët e tregut kanë shqiptuar 27 masa ndëshkuese”- thuhet në njoftim ndër të tjera.Gjatë këtij aksioni janë inspektuar gjithsej 69 subjekte ekonomike dhe fokusi kryesor ka qenë mbikëqyrja më e gjerë e subjekteve ekonomike që ushtrojnë veprimtaritë e tyre që lidhen me fushën e hotelerisë dhe turizmit, respektivisht objekt i inspektimeve të përbashkëta kanë qenë kryesisht subjektet ekonomike që ushtrojnë veprimtari të vilave dhe moteleve.
Inspektorati mbyll 26 motele dhe vila, ishin të paregjistruara e nuk plotësonin kushtet minimale
