Site icon Tetova Expres

Bekim Sali dhe ambasadorja Kawahara: Mbështetja japoneze kyçe për reformat dhe zhvillimin e Maqedonisë së Veriut

Ministri për Çështje Evropiane dhe Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, zhvilloi takim me Ambasadoren e Japonisë, Setsuko Kawahara.

Në takim u theksua bashkëpunimi zhvillimor në vijim ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë, si dhe mbështetja e vazhdueshme e Japonisë për prioritetet reformuese dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Ministri Sali theksoi përkushtimin e Qeverisë për ofrimin e rezultateve konkrete në kuadër të Agjendës së Reformave, me fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.

Bashkëbiseduesit diskutuan për zbatimin e projekteve aktuale të bashkëpunimit teknik, përfshirë iniciativat në fushën e zvogëlimit të rrezikut nga fatkeqësitë, transportin urban, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimin e turizmit. U shkëmbyen mendime edhe për projektet e reja që lidhen me zbutjen e ndryshimeve klimatike në bujqësi dhe forcimin e kapaciteteve për reagim emergjent mjekësor dhe gatishmëri ndaj krizave.

Ministri Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen afatgjatë të Japonisë përmes ndihmës zyrtare zhvillimore, përfshirë grantet për projekte të vogla, të cilat kanë përfitime të drejtpërdrejta për komunitetet lokale në fushat e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes së mjedisit dhe shërbimeve publike.

Ai theksoi se Ministria për Çështje Evropiane do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Ambasadën e Japonisë dhe JICA, me qëllim koordinimin efikas të ndihmës zhvillimore dhe harmonizimin e saj me prioritetet reformuese dhe objektivat e procesit të integrimit evropian.

Advertisement

Exit mobile version