Drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike dhe Industriale, Goce Dimovski sot u takua me Kemal Amanoel, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Cavo Otomotiv” e cila planifikon të hapë fabrikë në ZZHTI Tetovë.
Në takim, siç informon Pres shërbimi i ZZHTI-së është folur për progresin e projektit investues i cili duhet të hapë mbi 400 vende të reja pune, potencialet që ofrojnë zonat si dhe kushtet dhe mbështetjen që ofron shteti për investitorët.
Kompania “Cavo Otomotiv” shprehu kënaqësi nga komunikimi dhe bashkëpunimi me institucionet deri më tani, si dhe interes për realizimin në kohë të investimit. Amanoel theksoi se kompania e njeh vendin si një destinacion të qëndrueshëm dhe konkurrues për investime afatgjata, me një fuqi punëtore të kualifikuar dhe pozicion të favorshëm gjeostrategjik.
“Pas diskutimeve fillestare mbi një investim të mundshëm që filluan në mars të vitit të kaluar, projekti për këtë investim është në një fazë të avancuar, me punë intensive që po bëhet për të finalizuar të gjitha parakushtet për zbatimin e tij”, thonë nga Drejtoria e ZZHTI-së.
Korporata shumëkombëshe “Cavo Otomotiv” vepron në industrinë e pajisjeve të automobilave, duke projektuar dhe prodhuar produkte sigurie, si dhe mekanizma të ndryshëm dhe kabllo operimi për shumë prodhues kryesorë të makinave. Përveç Turqisë, kompania është e pranishme edhe në Kanada, Gjermani dhe Sllovaki dhe investimi i mundshëm brenda ZZHTI-së do të jetë me rëndësi kyçe si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Evropën.
