Site icon Tetova Expres

BDI KËRKON PËRGJEGJËSI NGA FILKOVI – MICKOSKI “SHUAN ZJARRIN” ZNAM-VLEN!

Kërkesa e studentëve që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe shkaktoi tensione të reja në koalicionin qeveritar. Cështja mori edhe dimension politik pasi Zv/Kryeministri Bekim Sali publikisht akuzoi se Ministri I Drejtësisë, Igor Filkov, nuk ka vullnet për ta zgjidhur problemin. Përgjegjsi nga Ministri Filkov kërkon edhe BDI-ja.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon përgjegjësi për mosorganizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar situatën si shkelje me elemente të përgjegjësisë penale. Partia vlerëson se mohimi i kësaj të drejte krijon klimë përjashtuese dhe dëmton barazinë. BDI i bën thirrje Inspektoratit dhe Prokurorisë të veprojnë, si dhe kërkon përgjegjësi penale për ministrin e Drejtësisë.

“Kërkojmë nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve që menjëherë të konstatojë shkeljet dhe të iniciojë procedura për kundërvajtje ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe personave përgjegjës. Kërkojmë nga Prokuroria Publike që të vlerësojë ekzistencën e elementeve për ndjekje penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, moskryerje të detyrës zyrtare dhe nxitje të mosdurimit ndëretnik. Kërkojmë përgjegjësi personale nga Ministri i Drejtësisë për çdo vendim ose mosveprim që pengon zbatimin e ligjit. Ligji është i qartë. Zbatimi i tij nuk është opsion. Pengimi i tij ka pasoja juridike”

Ndryshe, Zv/Kryeministri Bekim Sali, mbështeti nismën e studentëve që provimi I jurisprudencës të jepet edhe në shqip, duke pohuar se institucionet duhet ta mundësojnë këtë, për shkak se shqipja është gjuhë zyrtare konform Kushtetutës dhe ligjit.

Ministri I Drejtësisë, Igor Filkov, përmes rrjeteve sociale u kundërpërgjigj se “ka përfunduar koha e interpretimeve politike të Kushtetutës dhe ligjeve”, sic tha, pas largimit të koalicionit BDI-LSDM nga pushteti.

Advertisement

Filkov adresoi kritika ndaj Zv/Kryeministrit Sali se shteti nuk funksion në bazë të vlerësimeve personale.

Për të “shuar zjarrin” dhe debatet midis partnerëve të koalicionin ZNAM-VLEN ka ndërhyrë Kryeministri Mickoski. Ai pret që ky debat të përfundojë shumë shpejt dhe la hapësirë për zgjidhje ligjore, sukse sqaruar se Kushtetuta lejon përdorimin e gjuhës shqipe nëpër institucione, vetëm nëse është konstatuar me ligj.

Exit mobile version