Bota akademike dhe shkencore shqiptare në Maqedoninë e Veriut është pasuruar me një arritje të jashtëzakonshme. Elita Zylbeari Masha ka mbrojtur me sukses gradën shkencore Doktor i Shkencave të Mjekësisë pranë Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip, duke shënuar një moment historik si shqiptarja e parë që doktoron në fushën e specifikuar të Dermatovenerologjisë dhe Imunologjisë.
Përvoja e saj e gjatë në arsimin parauniversitar pritet të jetë një vlerë e shtuar për botën akademike, ku kontributi i saj shkencor do të shërbejë si udhërrëfyes për brezat e rinj.
Në mesazhin e saj pas këtij suksesi, Dr. Elita ia ka dedikuar këtë kërkim shkencor fëmijëve të saj, prindërve dhe të gjithë mendjendriturve që i kanë shërbyer si burim frymëzimi në këtë rrugëtim të gjatë dhe sfidues.
