Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, e përshëndeti formimin e qeverisë së re të Kosovës si një zhvillim inkurajues pas më shumë se një viti bllokade politike.
Ajo përgëzoi Albin Kurtin për zgjedhjen në postin e kryeministrit, duke theksuar se ky është një moment i ri për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Në një reagim në platformën X, Kallas u shpeh e gatshme të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë. Sipas saj, prioritet mbetet avancimi i reformave, që do të mundësonte zhbllokimin e mbështetjes financiare të BE-së në vlerë qindra miliona euro dhe përshpejtimin e rrugës evropiane të Kosovës.
Formimi i qeverisë u përshëndet edhe nga Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cila e cilësoi zhvillimin si “lajm të mirë nga Prishtina” dhe theksoi se tani fokusi duhet të zhvendoset te reformat dhe përfitimet nga Plani i Rritjes për Kosovën.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, përmes zëvendësambasadorit Christian Böttcher, riafirmoi mbështetjen e Berlinit, duke e cilësuar Gjermaninë si partnere të fortë dhe të besueshme të Kosovës në fushat e ekonomisë, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Kuvendi i Kosovës u konstituua dhe qeveria e re u formua më 11 shkurt 2026.
Pas këtyre zhvillimeve, pritet zgjedhja e presidentit të ri deri më 4 mars, sipas afateve kushtetuese. Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill. Nëse deri në afatin e përcaktuar nuk zgjidhet kreu i ri i shtetit, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja.
