Mbrëmë u konstituua Kuvendi i ri i Kosovës dhe u votua Qeveria e re, me Albin Kurtin në krye. Institucionet e reja formohen pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional. Kjo, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, nuk pati vota të mjaftueshme për të krijuar Qeverinë, por këtë e arriti pas zgjedhjeve të dhjetorit të po atij viti, në të cilat fitoi 57 mandate.
Me 66 vota pro dhe 49 kundër, Kuvendi i Kosovës miratoi qeverinë e tretë të Albin Kurtit, e cila bëri betimin menjëherë pas votimit.
Kabineti i ri ka 20 anëtarë, përfshirë kryeministrin, 4 më shumë se i kaluari. Donika Gërvalla mbetet zv/kryeministre, por do të drejtojë edhe Ministrinë e Drejtësisë, pasi postin e saj të deritanishëm si kryediplomate e merr Glauk Konjufca, i cili bëhet edhe zv/kryeministër i parë.
Para votimit, Kurti prezantoi programin qeverisës, ku ndër të tjera kritikoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për dënimin me nga 45 vite burg për 4 ish-krerët e UÇK-së.
“Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare dhe ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm, është shtrembërim faktik dhe historik; për familjet e viktimave është i padurueshëm, përveçse i papranueshëm.”
Kurti paralajmëroi të njëjtën qasje edhe gjatë mandatit të tretë në dialogun me Serbinë.
“Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv, marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve si raport i jashtëm, e jo ndërhyrje në çështje të brendshme,” tha Kurti.
I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, gjatë ekspozesë së tij para deputetëve, premtoi edhe një investim prej 1 miliard eurosh në sektorin e mbrojtjes.
“Në katër vjetët e ardhshëm do t’i forcojmë aleancat, do të investojmë 1 miliard euro në mbrojtje, do të rekrutojmë ushtarë të rinj, do të shumëfishopjmë numrin e oficerëve, do ta funksionalizojmë fabrikën e municionit, do ta zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës dhe do të prodhojmë dronët luftarakë Made in Kosova”,
Më herët, Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota pro dhe 44 kundër, si dhe u zgjodhën 5 nënkryetarët, përfaqësues të Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së, Listës Serbe dhe pakicave joserbe.
