Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë ka ngritur kallëzim penal kundër 35-vjeçarit me iniciale P.I. nga Tetova, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “dhunë” dhe “denoncim i rremë i veprës penale”.
Më 9 janar 2026, i denoncuari kishte raportuar rrejshëm në polici se në një hapësirë parkingu para një ndërtese në Tetovë, ishte sulmuar fizikisht nga një burrë dhe ishte goditur me një send të fortë nga një grua.
Megjithatë, pas ndërmarrjes së masave hetimore nga ana e policisë, u vërtetua se e vërteta ishte krejt ndryshe. U konstatua se ishte vetë P.I. ai që kishte nisur një zënkë me një person tjetër dhe e kishte sulmuar atë fizikisht. Për këtë arsye, ai tashmë do të përballet me drejtësinë jo vetëm për dhunën e ushtruar, por edhe për tentativën për të mashtruar organet e rendit.
