Sot mbushen 7 vjet nga aksidenti tragjik i autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit, në të cilin humbën jetën 16 persona dhe 38 persona u lënduan. Pas katër vjet e gjysmë gjykim, 6 persona fillimisht u dënuan me gjithsej 39 vjet burg, ndërsa në vitin 2025 dy prej tyre iu shtua dënimi edhe për disa vite nga Gjykata e Apelit. Fajtor kryesor, sipas aktgjykimit ishte shoferi i autobusit, i cili mori dhe dënimin më të lartë me 14 vjet burg, ndërkaq pronari i kompanisë transportuese u dënua me 4 vjet burg, që më vonë Apeli ia rriti në 10. Ndërkohë, në këtë përvjetor rezulton i arratisur, Remzi Miftari, i cili në vend që ta vuante dënimin me burg prej 10 vitesh për tragjedinë, u largua nga shteti duke e shtyrë vuajtjen e dënimit me arsyetimin se do t’i nënshtrohej një operacioni.
Së fundmi, mbikëqyrja e jashtëzakonshme në Gjykatë konstatoi një sërë lëshimesh nga gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve, anëtarët e Këshillit Penal në Gjykatën e Gostivarit, lëshime në shërbimin postar të stacionit policor në Gostivar, si dhe shtyrje mjekësore të kontestuara, lidhur me arratisjen e Remzi Miftarit.
Vitin e kaluar Gjykata e Apelit në Shkup, pas ankesës së Prokurorit Publik Darko Jakimovski, ia rriti dënimin me burg pronarit të kompanisë “Durmo Tours”, të pandehurit Durmish Beluli, nga katër në dhjetë vjet. Gjithashtu edhe përgjegjësit për transportin, Remzi Miftari, nga gjashtë në dhjetë vjet. Gjykata e Apelit në Shkup i hodhi poshtë si të pabazuara ankesat e disa prej të akuzuarve në rastin “Llaskarca”,
Ndërkohë, akuzuari i tretë, Igor Gjeorgjievski – udhëheqës i Stacionit të Kontrollit Teknik “AMZ Gostivar”, u dënua me 5 vite burg.
I akuzuari i katërt, Goran Dukovski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar”, u dënua poashtu me 5 vite burg.
I akuzuari i pestë, Jane Babavorvski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar”, gjithashtu u dënua me 5 vite burg.
I akuzuari i gjashtë, Manoil Trifunovski – shoferi i autobusit të aksidentuar, u dënua me më së shumti vite burg. Ai do të jetë i privuar nga liria për 14 vite.
Në fjalët përfundimtare prokurori i lëndës Darko Jakimovski theksoi se të gjithë të gjashtë të akuzuarit për aksidentin e “Llaskarcës” janë fajtorë, por secili e mohon dhe ia hedh fajin njëri tjetrit. Familjarët e viktimave dhe të lënduarit mbështetën akuzën e Prokurorisë dhe kërkuan që të dënohen të gjithë të akuzuarit. Nga ana tjetër, asnjëri prej të akuzuarve nuk e pranoi fajin, gjegjësisht të gjithë kërkuan që të lirohen nga akuza.
Ndryshe autobusi i aksidentuar i “Durmo Turs”, ishte i linjës së rregullt Shkup-Gostivar, ndërkaq kompania transportuese vazhdon ende të bartë udhëtarë.
