Kuvendi Qendror i Lëvizjes Besa me shumicë votash miratoi vendimin për shkarkimin e Kryesisë Qendrore të Lëvizjes Besa, në vazhdën e procesit të filluar për bashkimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm.
Kuvendi i Lëvizjes vlerësoi se duhet të hapet rruga për strukturimin e VLEN-it dhe e solli këtë vendim bazuar në moratoriumin e aktiviteteve partiake nga subjektet që përbëjnë VLEN-in.
Me këtë rast, Kuvendi autorizoi kryetarin Bilall Kasami të vijojë bisedimet për të ardhmen e VLEN-it, duke i dhënë mbështetje bashkimit në një subjekt të vetëm, me një zgjidhje që respekton parimin e drejtësisë dhe dëgjon zërin dhe vullnetin e votuesit të VLEN-it dhe gjithë shqiptarëve.
Por, Kasami tha se pjesa më e madhe e partive që përbëjnë koalicionin nuk janë të strukturuara me këtë ide që t`I japin hapësirë VLEN-it.
“Aleanca me në krye Arben Fetain nuk ka organe partiake, poashtu edhe LD-ja, poashtu edhe faktorë tjerë sic është Bekim Qoku si përfaqësues I VV-së që e dijmë se edhe ata e kanë patur idenë për themelimin e një subjekti politik”
Në mbledhjen e Kuvendit u diskutua gjithashtu puna e funksionarëve të Lëvizjes Besa në Qeveri. Kuvendarët e përkrahën konstatimin e kryetarit Kasami se Besa ka kapacitet për shumë më shumë punë sesa është bërë deri tani.
Kasami u shpreh i prerë se derisa bëhet fjalë për qeveri politike, BESA vendos se cili Ministër do ta përfaqësojë në Qeveri.
Në këtë mënyrë ai ka komentuar deklaratat e Kryeministrit Mickoski lidhur me punën e Fatmir Limanit në Qeveri.
Derisa bëhet fjalë për qeveri politike, pjesëmarrëse në qeveri janë partitë politike dhe derisa ne do të jemi pjesë e asaj qeverie do të kemi të drejtë të propozojmë përfaqësuesit tanë në Qeveri”
Në mbledhjen e Kuvendit Qendror të Lëvizjes Besa mbërriti edhe Ministri, Fatmir Limani. Para nisjes së mbledhjes ai kërkoi nga Kuvendarët, sic tha, maturi dhe kthjelltësi.
“Veprime që u takojnë nivelit të politikanëve që janë të matur, nuk guxojnë të prishin strukturën e VLEN-it sepse rikthehemi në kohën pas dhe krijojmë hapësirë për strutura tjera të kyçen në qeveri”
Kreu I Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka komentuar edhe zhvillimet e fundit me provimin e jurisprudencës në shqip, duke potencuar se puna e Ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, lë shumë për të dëshiruar.
“As Ministri në fjalë e as dikush tjetër nuk duhet që pozitën e tij, suksesin apo dështimin, ta kushtëzojë me tema ndëretnike dhe nëse edhe më tutje do të ketë kësi tentime ne si Besa dhe si VLEN do të japim qëndrimin tonë. Lidhur me cështjen në fjalë, Qeveria ka kapacitet që këtë ta zgjidh. Ministri besoj e ka kompetencën e plotë që shumë shpejt ta zgjidh këtë cështje, por po shihet që nuk ka vullnet prandaj si pjesë e qeverisë këtë do ta zgjidhim me ligj”
Kasami nuk ka përjashtuar mundësinë që ai të jetë lider I VLEN-it. Ai tha se është I gatshëm, por vetëm nëse bashkërisht me partitë tjera konstatohet se mund të marr këtë pjesë të obligimit.
