Site icon Tetova Expres

VLEN: TARIFAT BIEN – ALEANCA ME SHBA HAP EPOKËN E TREGTISË SË LIRË

Marrëveshja me SHBA-në është përshëndetur edhe nga koalicioni VLEN. Sipas tyre, Orientimi është i qartë dhe i palëkundur: krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një ekonomi moderne, të hapur dhe konkurruese, për një shtet të fortë dhe të besueshëm në skenën ndërkombëtare.

Marrëveshja e arritur ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut për tregti reciproke dhe bashkëpunim energjetik është një hap historik që forcon partneritetin tonë strategjik dhe hap horizonte të reja për zhvillimin ekonomik – thonë nga koalicioni VLEN.

Sipas tyre, eliminimi i tarifave doganore për mallrat amerikane në tregun tonë është një sinjal i fuqishëm për hapje, konkurrencë dhe integrim më të thellë në tregjet globale.

Ky është vizioni i qeverisë së udhëhequr nga VLEN: një ekonomi e hapur që krijon kushte për rritje të qëndrueshme, përmirësim të standardeve dhe nxitje të investimeve të huaja. Me këtë marrëveshje, ne jo vetëm që fuqizojmë klimën e biznesit dhe rrisim konkurrueshmërinë e ekonomisë, por edhe krijojmë perspektivë më të madhe për punësim dhe zhvillim.

Kjo marrëveshje, sipas VLEN, është një sinjal i qartë për thellimin e partneritetit strategjik dhe një konfirmim i mbështetjes së fortë që Maqedonia e Veriut gëzon nga SHBA.

Advertisement

Marrëveshja, sipas VLEN, trason rrugën drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të sigurojë tarifa jo më të larta se 15%, ndërsa për disa produkte dhe industri deri në 0%, duke hapur mundësi të reja për eksport, investime dhe rritje ekonomike.

 Me SHBA-në si partner të besueshëm, Maqedonia e Veriut po ndërton një të ardhme më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë – thuhet në komunikatën e koalicionit VLEN.

Exit mobile version